Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha po japin sinjale se po shkojnë drejt një pakti për t’i dhënë fund krizës politike që ka mbërthyer vendin. Në një atmosferë të tensionuar politike, protestat e dhunshme të Partisë Demokratike duket se janë shndërruar në alibi për kryeministrin Rama dhe ish-kryeministrin Berisha, të cilët dyshohet se po punojnë së bashku në prapaskenë për një pazar të fshehtë. Ky bashkëpunim mes dy rivalëve politikë ka për qëllim krijimin e një qeverie teknike, kërkesë kjo e artikuluar thuajse përditë nga demokratët si kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por edhe asgjësimin e Reformës në Drejtësi dhe shkatërrimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), strategji kjo që pritet t’i hapë rrugë amnistisë së krimeve të tyre. Si Rama, ashtu dhe Berisha janë akuzuar dhe dyshohet se janë përfshirë në shumë afera korruptive e kriminale, ndërkohë që përmes paktit mes tyre, synojnë të vishen me imunitet juridik dhe politik, pra duke u bërë imun ndaj drejtësisë së re, veprim ky që rrezikon të fusë në krizë institucionet ligjzbatuese.
Taktikat e tyre kanë nxjerrë në pah një strategji të rrezikshme, ku interesat e ngushta partiake janë vendosur përpara atyre të drejtësisë dhe transparencës. Berisha personalisht edhe publikisht ka kërkuar asgjësimin e Reformës në Drejtësi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Rama, përmes kryetarit të Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion, Fatmir Xhafaj, i cili kanë dhënë sinjale të qarta se po synon të ushtrojnë kontroll mbi SPAK-un dhe të ndërhyjnë në reformën që ka qenë një prioritet për vendin. Kjo situatë ngjall shqetësim të thellë, sidomos kur merret parasysh historia e ngjashme në vitin 2017, kur Rama arriti një marrëveshje me Bashën për të zgjidhur krizën politike, teksa palët u ulën në tryezën e dialogut nga ndërkombëtarët të kryesuara nga David Mcallister. Ndërkombëtarët, të cilët kishin rol të rëndësishëm në atë periudhë, duket se janë të ftuar përsëri në këtë “valle” politike, por këtë herë pa peshën e duhur, sikundër po tregohet së fundmi ku palët politike janë takuar me zyrtarë evropianë.
Presioni mbi Ramën për të pranuar këtë marrëveshje me Berishën do rritet dhe ai duket i gatshëm të sakrifikojë parimet e drejtësisë për të ruajtur stabilitetin politik. Qartazi Rama dhe Berisha po tentojnë të krijojnë një klimë të stabilitetit, duke justifikuar marrëveshjen e tyre si një nevojë për të shmangur kaosin dhe dhunën. Kjo strategji do të mundësonte një qeveri teknike që do të shërbente si mbulesë për veprimet e tyre të paligjshme dhe për planin për amnistimin e krimeve të tyre. Megjithatë pazari Rama-Berisha, që shfaqet si një zgjidhje për krizën, në fakt, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për arritjet e deritanishme në luftën kundër korrupsionit, ku në fund të fituar dalin ata dhe të humbur qytetarët shqiptarë. Sidoqoftë a do të arrijnë këto aleanca të shkatërrojnë reformën, apo do të zbulojnë lidhjet e errëta mes politikës dhe korrupsionit, mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
Denoncimi
Por pakti mes Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS) është ngritur si një shqetësim serioz nga Kkreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, i cili ka paralajmëruar se liderët e dy partive, Edi Rama dhe Sali Berisha po përgatiten të amnistojnë “VIP-at” e korrupsionit. Basha thekson se këta individë kanë shfrytëzuar pozitat e tyre për 34 vite pa u ndëshkuar, duke e bërë të qartë se ka një aleancë të fshehtë që synon të sabotazhojë SPAK-un. Ai e shikon këtë bashkëpunim si një përpjekje për të vendosur kontroll mbi institucionet e drejtësisë, duke bërë thirrje për vigjilencë nga qytetarët. Në një denoncimin të tijin, Basha thekson se reagimet e Berishës dhe Fatmir Xhafajt janë të koordinuara dhe synojnë të minojnë përpjekjet për një sistem më të fortë të drejtësisë.
