Protesta kundër resortit luksoz në Rrjoll, një protestues i lënduar dërgohet me ambulancë në spital

Data

Protesta e banorëve kundër ndërtimit të resortit turistik në zonën e Rrjollit është shoqëruar me incidente dhe tensione, ku një protestues ka mbetur i lënduar gjatë përplasjes pranë kantierit të ndërtimit.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, qytetari ka pësuar një dëmtim në këmbë në momentin kur protestuesit po tentonin të hiqnin një pjesë të rrethimit që rrethon zonën ku po zhvillohen punimet për resortin luksoz.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e cila i ka dhënë ndihmën e parë protestuesit dhe më pas e ka transportuar drejt një qendre mjekësore për trajtim të specializuar.

Burime nga shërbimet shëndetësore bëjnë me dije se i lënduari është jashtë rrezikut për jetën dhe gjendja e tij paraqitet e stabilizuar.

Ndërkohë, protesta ka vijuar edhe pas incidentit. Banorët dhe aktivistët që kundërshtojnë projektin turistik kanë deklaruar se do të vazhdojnë rezistencën e tyre, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve dhe rishikimin e procedurave që lidhen me pronësinë e tokave në zonë.

Forca të shumta policie kanë qenë të pranishme në terren për të monitoruar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Deri më tani nuk ka njoftime zyrtare për persona të tjerë të lënduar apo të shoqëruar nga policia.

Protestat në Rrjoll po zhvillohen prej disa ditësh dhe lidhen me kundërshtimin e projektit për ndërtimin e një resorti turistik, të cilin banorët e konsiderojnë të dëmshëm për interesat e komunitetit dhe për zonën ku po realizohet investimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related