Opozita zhvillon sot protestën e saj të shtatë kombëtare përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Tubimi pritet të nisë në orën 19:00 dhe të zgjasë deri rreth orës 22:00. Ndryshe nga protestat e fundit, këtë herë pritet rikthimi i fjalimeve dhe vendosja e një podiumi përpara Kryeministrisë.
Në këtë podium do të mbajnë fjalë drejtues të Partisë Demokratike, përfaqësues të forumit rinor, aleatë politikë dhe aktivistë. Në protestat e mëparshme mungesa e fjalimeve kishte zhvendosur fokusin drejt marshimeve dhe incidenteve, ndërsa këtë herë synohet një qasje më e organizuar dhe politike.
Megjithatë, organizatorët nuk përjashtojnë zhvillime të tjera gjatë mbrëmjes, në varësi të situatës në terren.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë. Do të ketë bllokime të rëndësishme të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Që nga mbrëmja e 16 prillit ndalohet parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa nga ora 15:00 e ditës së sotme do të bllokohet lëvizja e automjeteve nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Po ashtu do të ketë kufizime në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në këto zona dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve, si dhe të distancohen nga çdo veprim i paligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
Kjo protestë pritet të jetë një moment i rëndësishëm për opozitën, si për mobilizimin e mbështetësve ashtu edhe për artikulimin e mesazheve politike në një situatë të tensionuar në vend.
