Presidenti amerikan Donald Trump i tha homologut ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një takimi të tensionuar të premten se nuk ka ndërmend të furnizojë raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, të paktën jo tani, sepse e konsideron diplomacinë një përparësi.
Lajmi u bë i ditur nga Axios dhe CNN duke iu referuar burimeve të njohura me rrjedhën e takimit midis Trump dhe Zelensky-it.
Publikimi vëren se Zelensky shpresonte të largohej nga Washington-i me premtime për armë të reja për Ukrainën, por doli që Trump është në një humor krejtësisht të ndryshëm një ditë pas një bisede të gjatë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas burimeve të Axios, Trump e ka bërë të qartë se përparësia e tij tani është diplomacia, dhe ai beson se sigurimi i Tomahawk mund ta dëmtojë atë.
Një burim tha se takimi “nuk ishte i lehtë”, ndërsa një tjetër e quajti atë “të keq”.
“Askush nuk bërtiti, por Trump ishte i ashpër. Trump bëri disa deklarata të ashpra gjatë takimit, dhe në disa momente mori një karakter disi emocional”, shkruan Axios duke shtuar se takimi përfundoi papritur pas 2 orësh e gjysmë.
“Mendoj se kemi mbaruar. Le të shohim se çfarë ndodh javën tjetër”, tha Trump, duke iu referuar bisedimeve të planifikuara midis SHBA-ve dhe Rusisë.
Përveç kësaj, një burim i CNN tha se Trump dyshohet se ka përshtypjen se Ukraina po kërkon një përshkallëzim dhe vazhdim të konfliktit, dhe ai është i shqetësuar për humbjet e mundshme gjatë dimrit të ashpër që po vjen.
