Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, i cili bëri betimin për një mandat të tretë pas rizgjedhjes së kontestuar në korrik të vitit 2024, akuzoi këtë të hënë mafian shqiptare në Ekuador se është e përfshirë në një plan për të “sabotuar” zgjedhjet rajonale dhe legjislative që do të mbahen të dielën e ardhshme në këtë vend të Karaibeve. “Janë arrestuar tashmë 38 mercenarë të rinj. Mafia shqiptare që kontrollon Ekuadorin ka dërguar disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë.
Janë kapur – mafia shqiptare (…) i kemi në dorë. U janë kapur tre telefona dhe kanë filluar të flasin”, deklaroi presidenti gjatë një takimi me drejtuesit e lartë të ushtrisë, i transmetuar nga televizioni shtetëror Venezolana de Televisión (VTV). Maduro tha se mafia shqiptare kishte dërguar mercenarët në Venezuelë pas një vizite që sipas tij ndodhi në prill në Ekuador nga biznesmeni dhe ish-ushtaraku amerikan Erik Prince, themelues i kompanisë private ushtarake Blackwater (tani e quajtur Academi), i cili i kishte ofruar qeverisë së presidentit ekuadorian Daniel Noboa trajnime në fushën e sigurisë për Policinë dhe Forcat e Armatosura. Nëse është Erik Prince, është edhe perandoria amerikane pas kësaj”, shtoi Maduro.
