Nëse një person kalon ilegalisht kufirin polak pasi është sjellë atje nga shërbimet bjelloruse, nëse ky është një element i luftës hibride, rojet kufitare polake nuk janë të detyruara të pranojnë kërkesat për azil të këtyre njerëzve”. Ky është teksti i ligjit të planifikuar nga kryeministri i Polonisë Donald Tusk. Këtë fundjavë, ai njoftoi gjatë një kongresi të partisë së tij, Koalicionit Qytetar liberal-konservator, se vendi i tij po shqyrtonte pezullimin e përkohshëm të së drejtës për azil.
Kufizimi i migrimit dhe të drejtat e njeriut
Për Tuskun, pezullimi i së drejtës për azil në kufi është një masë e përshtatshme për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit nga Bjellorusia. Ai akuzon Bjellorusinë dhe Rusinë se kanë sjellë refugjatë nga Azia dhe Afrika në Bjellorusi dhe se po përpiqen t’i sjellin ata në Poloni për të destabilizuar vendin. E drejta për azil po përdoret në “këtë luftë” dhe nuk ka të bëjë fare me të drejtat e njeriut, tha Tusk-u.
Megjithatë, duket se gjatë mbledhjes së kabinetit u shfaqën tensione midis partnerëve të koalicionit të qendrës së majtë të Tuskut mbi çështjen e azilit. Katër ministrat e aleancës së majtë Lewica shprehën një mendim të ndryshëm, tha ministri i Digjitalizimit Krzysztof Gawkowski për portalin Onet.pl: “Ne besojmë se është e nevojshme të ashpërsohen procedurat për emigrantët e paligjshëm, por nuk duam që elementë të tillë si pezullimi i së drejtës për azil të figurojnë në strategji. Prandaj nuk e dimë nëse do të dalë një shumicë në Parlament për modifikimin e planifikuar të politikës së migrimit”.
