Fermerët e zonës së Krujë po përballen me një situatë të vështirë ekonomike, duke ngritur alarmin për rritjen e ndjeshme të kostove në bujqësi.
Sipas tyre, çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm, ndërsa edhe inputet bujqësore janë shtrenjtuar me 30–40%, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit.
Fermerët shprehen se vetëm kostoja e plugimit të një hektari është rritur me rreth 5 mijë lekë të reja, ndërsa proceset e tjera bujqësore kanë ndjekur të njëjtin trend. Si pasojë, prodhimi nuk arrin më të mbulojë shpenzimet.
“Jemi detyruar të marrim para borxh tek të afërmit për të punuar tokën. Disa madje po shesin edhe mjetet bujqësore sepse nuk përballojnë dot çmimin e naftës,” u shpreh një prej fermerëve.
Ata kritikojnë edhe skemat e subvencioneve, duke i cilësuar joefikase, pasi sasia e naftës së përfituar nga shteti nuk mbulon as një proces të vetëm pune, e jo më gjithë ciklin bujqësor.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të shmangur abuzimet në treg, sidomos për produktet që sipas tyre janë importuar muaj më parë dhe nuk justifikojnë rritjen aktuale.
Situata, sipas tyre, po e vendos sektorin e bujqësisë në një pikë kritike, duke rrezikuar jo vetëm prodhimin vendas, por edhe mbijetesën ekonomike të shumë familjeve që jetojnë nga toka.
