Pas deklasifikimit dhe publikimit të dosjeve dhe fotografive që lidhen me skandalin Epstein, ka reaguar ish-presidenti amerikan Bill Clinton, përmes përfaqësuesit të tij, duke akuzuar drejtpërdrejt Shtëpinë e Bardhë se po përpiqet ta përdorë si “kokë turku”.
Sipas deklaratës, publikimi i materialeve nuk është një akt transparence, por një manovër politike e qëllimshme. Përfaqësuesi i Clinton thekson se dosjet janë mbajtur të fshehura për muaj të tërë dhe janë publikuar në një moment të zgjedhur enkas, jo për të informuar publikun, por për të devijuar vëmendjen nga zhvillime të tjera që pritet të dalin në dritë.
“Mund të publikojnë sa fotografi të duan, edhe pse janë mbi 20 vjeçare, por kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me Bill Clinton. Nuk ka pasur kurrë dhe nuk do të ketë,” thuhet në reagim, duke hedhur poshtë çdo aludim për përfshirje.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se edhe figura të larta politike amerikane kanë pranuar se Clinton nuk ka qenë kurrë në ishullin e Epstein në Karaibe, një nga elementët më të errët të kësaj historie. Përfaqësuesi i ish-presidentit nënvizon se Clinton i kishte ndërprerë marrëdhëniet me Epstein rreth vitit 2005, shumë përpara se krimet e tij të bëheshin publike dhe të dokumentuara.
Reagimi shkon edhe më tej, duke ndarë njerëzit në dy kategori: ata që u distancuan nga Epstein sapo dyshimet nisën të shfaqeshin dhe ata që vazhduan lidhjet edhe pasi krimet e tij dolën në dritë. Sipas deklaratës, Clinton i përket kategorisë së parë.
“Sado që disa përpiqen ta zvarrisin këtë histori dhe të gjejnë një kokë turku, faktet nuk ndryshojnë,” thuhet më tej, duke theksuar se publiku pret përgjigje reale dhe jo zhvendosje përgjegjësish.
Publikimi i dosjeve Epstein ka rihapur një nga skandalet më tronditëse të dekadave të fundit, ndërsa reagimi i Clinton shton edhe më shumë tensionin politik në SHBA, me akuza të ndërsjella për manipulim, fshehje të së vërtetës dhe përdorim politik të një çështjeje tepër të rëndë.
