Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar ashpër akuzat e ngritura ndaj klientit të tij gjatë deklaratës përmbyllëse në Hagë, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të njëanshme.
Mbrojtja, e përfaqësuar nga Luka Mishetiç, argumentoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka shpërfillur prova që, sipas tij, rrëzojnë pretendimet e akuzës. Ai theksoi se nuk ka pasur prova konkrete për qëllimet kriminale që pretendohen dhe se asnjë dëshmitar nuk ka pohuar drejtpërdrejt përfshirjen e Thaçit në krime lufte.
“Dënimi i Thaçit do të përbënte një padrejtësi historike. Po kërkohet të rishkruhet historia e Kosovës,” u shpreh avokati, duke shtuar se akuza ka shmangur përballjen me dëshmitarë që, sipas tij, do të rrëzonin narrativën e saj.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ndodhet në fazën përfundimtare dhe pritet që pas deklaratave të fundit të palëve, trupi gjykues të tërhiqet për të marrë vendimin.
