Pakënaqësitë brenda Partisë Demorkatike janë të dukshme dhe vijojnë. Petrit Doda është zgjedhur në krye të degës së PD Kamzë. Por për prezantimin e tij nuk është thirrur për të qenë prezent deputeti Asllan Dogjani. Kjo ka ngjallur dhe indinjatë nga deputeti Dogjani, i cili mesa duket duke mos pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Sali Berisha, i ka shkruar një koment poshtë videos që ish-kryeministri ka shpërndarë në “Facebook” e tij.
“Suksese Petrit Dodës, sepse ja vlen. Por besoj se është e dëmshme në këto momente, kur bëhet prezantimi i kryetarit të partisë dhe nuk thirret deputeti më i votuar i zonës… Unë nuk kam nevojë për ftesa as për ceremoni, sepse vazhdimisht jam në kontakt me qytetarët e Kamzës e Paskuqanit, por a kështu do të fitojmë?”, shkruan deputeti Asllan Dogjani në një koment publik në llogarinë e ish-kryeministrit Sali Berisha. Kujtojmë se Asllan Dogjani ka marrë 5.177 vota në zgjedhjet e 25 prillit 2021, teksa kandidoi nën siglën e koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshim, nga banorët e Kamzës, Laprakës, Paskuqanit dhe nga çdo qytetar tjetër në bashkitë: Tiranë, Kavajë, Vorë, Rrogozhinë dhe Kamzë.
Reagon Doda
Ndërkohë të pranishëm në shpalljen e fitores së Dodës ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, si dhe deputetja Dhurata Çupi. Zoti Doda theksoi se e rëndësishme në këto zgjedhje janë emigrantët, të cilët Rama i ka përzënë këto 12 vite. “Të japim një rezultat historik nëpërmjet emigrantëve. Votuesit tanë kanë 12 vite që janë përzënë nga Shqipëria dhe vazhdojnë të përzihen. Mirëmbrëma të gjithëve. Sot për mua është një emocion i veçantë që paraqitem para jush si kryetar i PD. Ju falënderoj për garën. Ju falënderoj për procesin. Një urim të veçantë kam për mësuesit e mi, për profesorët që na dhanë një mbështetje masive për rritjen e pjesëmarrjes në votime.
Unë do respektoj çdo demokrat, çdo opozitar. Sot jemi në shtëpinë e opozitës. Kjo nuk është vetëm zyra e PD. Kjo do të shërbejë për të gjithë popullin opozitar. Pra, nga sot e tutje zyrat e PD janë ku jemi sonte, që ta dimë. Kemi dy fusha: një që është në diasporë dhe në emigrim dhe një fushë që jemi ne vetë këtu. Mundësia më e madhe e jona është që ne të thyejmë dhe të japim një rezultat historik nëpërmjet emigrantëve, pasi votuesit tanë kanë 12 vite që janë përzënë nga Shqipëria dhe vazhdojnë të përzihen. Prandaj, unë ju uroj suksese, ju falënderoj shumë”, deklaroi Doda.
