Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, tha se përgjatë këtij viti është bërë gjithçka për të ringritur dhe bashkuar partinë.
“Kemi pasur shumë vakum për shkak të mosprezencës së Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, për shkak të arrestit shtëpiak. Tashmë jemi të çliruar plotësisht, të lehtësuar në punët tona”, tha Noka.
Përsa i takon seancës plenare të dy ditëve më parë, ku deputeti demokrat, Noka pati një konfrontim fizik me kolegun e tij, Agron Shehaj, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha se seanca e së enjtes ishte projektuar nga Partia Demokratike si betejë me Rilindjen në një pikë që është thelbësore, tatimi mbi profesionet e lira.
“Ne kemi bërë një betejë të egër për të mbrojtur profesionistët e lirë dhe i kemi prirë kësaj beteje edhe në Gjykatën Kushtetuese ku fituam. Tani ne na del opozita e opozitës, që përdoret nga mazhoranca, që të mos zhvillohej kjo betejë”, tha Noka.
Ai tha se Shehaj, opozitari i opozitës, nuk lejoi të fliste as kryetarin e opozitës, Sali Berisha. “Z. Shehaj nuk kishte asnjë qëllim që të fliste në seancë, ai donte të bllokonte seancën me një kauz ‘fake’.
Noka tha se Shehaj e dinte që interpelanca nuk zhvillohej sepse nuk e lejonte rregullorja e Kuvendit, pasi ishte konsumuar nga PD. “Ku ishte Shehaj kur protestonin qytetarët për aksin Thumanë-Kashar? Askund nuk ishte”, tha Noka.
