Partia Demokratike po zhvillon mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku ndër çështjet kryesore të rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit të ri të këtij forumi.
Gjatë mbledhjes, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, propozoi që drejtimi i Këshillit Kombëtar t’i besohet një gruaje. Për këtë post ai paraqiti dy kandidatura: Julia Emili dhe Silva Hasa.
“Këshilli Kombëtar kam menduar të drejtohet nga një zonjë. Propozoj Julia Emili dhe Silva Hasa”, u shpreh Berisha.
Me këtë propozim, drejtuesi aktual i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili kishte njoftuar më herët se nuk do të rikandidonte, nuk është pjesë e garës për një mandat të ri.
Gjatë mbledhjes pritet gjithashtu të votohet edhe për përbërjen e re të Kryesisë së Partisë Demokratike dhe të forumit drejtues, ku mes kandidatëve janë edhe disa ish-deputetë të kësaj force politike.
