Në ditët e fundit të vitit të kaluar, saktësisht në 27 dhjetor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli një tender të majmë me vlerë 7.7 milionë euro për përmirësimin e sistemit të Thesarit të Shtetit. Pasi u ankimua disa herë nga kompania Advanced Business Solution e Gerond e Meçes për kriteret që kishte vendosur AKSHI, më në fund tenderi u zhvillua në maj të këtij viti.
Në garë u paraqitën 2 oferta, ku më e ulëta ishte ajo e bashkimit të kompanive Advanced Business Solution dhe Datalog me vlerë 5.1 milionë euro ose plot 2.5 milionë euro më poshtë se fondi limit. Megjithatë në fillim të qershorit, AKSHI shpalli vlerësimin e tenderit. Oferta e ABS dhe Datalog u skualifikua me justifikimin e përhershëm të mosplotësimit të kritereve.
AKSHI shpalli fitues të tenderit ofertën e dytë, atë të bashkimit të kompanive Communication Progress dhe Horizon e Ermal Beqirit, e cila ishte 6.8 milionë euro ose plot 1.7 milionë euro më e shtrenjtë se oferta e dyshes ABS dhe Datalog.
Menjëherë sapo AKSHI shpalli fituesin e tenderit, kompania ABS e Meçes e ankimoi atë në Komisionin e Prokurimit Publik duke kërkuar anulimin e skualifikimit si dhe shpalljen fituese të ofertë së saj.
Madje jo vetëm kaq, por në ankesë ABS denonconte në Komisionin e Prokurimit se dy kompanitë e shpallura fituese nga AKSHI nuk përmbushnin kriteret e tenderit duke kërkuar madje dhe hetim të posaçëm për këtë çështje. Përgjatë kësaj kohe në KPP është zhvilluar një betejë e fortë, madje edhe seancë e posaçme dëgjimore mes palëve.
