Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është vetëdorëzuar në polici pas zbulimit të një sasie të madhe kanabisi në një pronë të tij.
Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet pasi gjatë kontrolleve në fshatin Kurtaj, në njësinë administrative Gjocaj, u zbuluan ambiente të përshtatura për kultivimin e lëndëve narkotike në kushte të mbyllura.
Sipas policisë, në bodrumin e një magazine ishin ndërtuar dy hapësira të posaçme për rritjen e kanabisit me anë të llambave, ku u sekuestruan rreth 4 mijë bimë.
Gjithashtu, në vendngjarje u gjetën dhe pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë, që përdoren zakonisht për kultivim në ambiente të kontrolluara.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
