Pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, janë vendosur masa të reja sigurie në GJKKO, të cilat kanë hyrë në fuqi nga kjo e martë.
Sipas planit të ri, në hyrje të godinës do të jetë i pranishëm një punonjës i Gardës, ndërsa çdo person që hyn në ambientet e gjykatës do t’i nënshtrohet kontrollit përmes skanerëve fizikë.
Masat parashikojnë dy nivele kontrolli:
- një skaner fillestar në hyrje
- një kontroll të dytë më të detajuar brenda ambienteve
Edhe dalja nga institucioni do të jetë e monitoruar me procedura sigurie të shtuara, të ngjashme me ato të institucioneve të rëndësisë së veçantë.
Këto masa janë ndërmarrë pas kërkesave të KLGJ për rritjen e sigurisë në gjykata, megjithëse deri tani zbatimi konkret ka nisur vetëm në GJKKO.
Forcimi i sigurisë synon të garantojë mbrojtjen e gjyqtarëve, stafit dhe qytetarëve, në një kohë kur institucionet e drejtësisë përballen me çështje të ndjeshme dhe me risk të lartë.
