Pas gjobës së FIFA-s, FSHF kritikon tifozët: “Një incident i vetëm dëmton imazhin e futbollit shqiptar”

Data

Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s me 2250 franga zvicerane, si pasojë e hedhjes së sendeve nga disa tifozë gjatë ndeshjes Shqipëri–Angli, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”. Takimi u mbyll me fitoren 0-2 të anglezëve dhe shënoi edhe përfundimin e ndeshjeve të Grupit K për kualifikueset e Botërorit 2026.

Edhe pse gjoba konsiderohet relativisht e vogël krahasuar me sanksionet e rënda që Kombëtarja ka marrë në të kaluarën, FSHF reagoi me shqetësim, duke theksuar se çdo incident, sado i izoluar, dëmton imazhin e futbollit shqiptar dhe përpjekjet për të ngritur standardet e sjelljes në stadiume.

Reagimi i FSHF-së: “Objektivi ynë është i qartë: stadiume pa asnjë shkelje”

Federata theksoi se ndërsa sjellja e tifozëve në shumicën e ndeshjeve të fundit ka qenë shembullore, një episod i vetëm mjafton për të shkaktuar sanksione që penalizojnë jo vetëm federatën, por edhe vetë tifozët dhe lojtarët.

“Çdo episod i izoluar cënon përpjekjen tonë të përbashkët për t’u renditur mes më të mirëve, jo vetëm në fushë, por edhe në shkallët e stadiumeve”, – thuhet në deklaratë.

FSHF vuri në dukje përmirësimin e dukshëm të disiplinës në ndeshjet e fundit, duke theksuar se atmosfera në “Air Albania” ka qenë më e qetë dhe më pranë standardeve europiane. Megjithatë, vendi ynë renditet aktualisht në vendin e 50-të në klasifikimin e Fair Play të UEFA-s, çka tregon se ka ende hapësirë për progres.

“Tifozeria shqiptare ka potencial të jetë ndër më të respektuarat”

Në deklaratën e saj, Federata shprehu bindjen se tifozët shqiptarë kanë treguar pjekuri dhe kulturë sportive, duke dëshmuar se mund të renditen shumë më lart në klasifikimet e disiplinës në stadiume.

FSHF theksoi se sjellja në stadium nuk është vetëm çështje rregullash, por edhe përgjegjësi për të ngritur imazhin e ekipit kombëtar dhe të vendit:

“Me sjellje të kujdesshme dhe mbështetje pozitive, tifozeria kuqezi mund të shndërrohet në shembull të disiplinës dhe kulturës sportive.”

Federata paralajmëroi se çdo shkelje, sado e vogël, rrit rrezikun e gjobave apo masave të tjera, përfshirë mbylljen e pjesshme të stadiumit, ndaj kërkoi bashkëpunim maksimal nga tifozët në ndeshjet e ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related