Protesta e mbrëmjes së sotme në Tiranë ka hyrë në një fazë të re pasi mijëra qytetarë, pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë, kanë vijuar marshimin drejt institucioneve kryesore të vendit.
Kolona e gjatë e protestuesve ka mbërritur para godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ku janë dëgjuar thirrje të forta kundër klasës politike dhe institucioneve shtetërore.
Sapo pjesa e parë e marshimit ndaloi përpara Parlamentit, turma shpërtheu në kore të njëpasnjëshme me thirrjen: “Parlamenti i krimit! Parlamenti i krimit!”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës së funksionimit të politikës dhe institucioneve përfaqësuese në vend.
Marshimi vjen pas një proteste disaorëshe para Kryeministrisë, ku qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora mbajtën fjalime dhe ngritën kërkesa që lidhen me dorëheqjen e qeverisë, reforma politike dhe ndryshime institucionale.
Pjesëmarrësit e konsideruan ndalesën para Kuvendit si një mesazh simbolik ndaj institucionit që miraton ligjet dhe ushtron funksionin legjislativ në vend. Sipas tyre, përgjegjësia për situatën politike dhe sociale nuk i përket vetëm qeverisë, por edhe klasës politike në tërësi.
Pamjet nga terreni tregojnë një numër të madh protestuesish të mbledhur përreth godinës së Parlamentit, ndërsa marshimi vijon i organizuar në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Kjo ishte një tjetër ndalesë simbolike e protestës së 14-të radhazi, e cila sipas organizatorëve ka shënuar pjesëmarrjen më të lartë që nga nisja e lëvizjes qytetare. Ata kanë deklaruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kërkesat e protestuesve mbeten të pandryshuara.
