Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal të dyshuar për trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit.
Operacioni i koduar “Rotondo”, i zhvilluar pas një hetimi dy mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, çoi në arrestimin në flagrancë të dy personave: Donati Jaku, 31 vjeç, banues në Shkodër dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Sipas policisë, automjeti tip “Volkswagen” që drejtohej nga 22-vjeçari Gjeta dhe ku pasagjer ishte Jaku, u ndalua për kontroll në zonën e njohur si “Rrethi i Freskut”. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 6 armë zjarri, pistoleta të markës “Sig Sauer”, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen kryesisht në zonën e Freskut.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti me të cilin transportoheshin armët dhe katër telefona celularë.
Gjatë hetimeve është identifikuar edhe një bashkëpunëtor i dyshuar, shtetasi E. S., i cili është shpallur në kërkim. Policia po vijon punën për kapjen e tij dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
