Pesë nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit kundër Call Center-ave mashtrues kanë dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Sipas dosjes hetimore, aktiviteti kriminal është denoncuar fillimisht nga autoritetet austriake në vitin 2024, pasi mijëra qytetarë në Vjenë dhe qytete të tjera të Austrisë rezultuan të mashtruar me një dëm që kap vlerën mbi 30 milionë euro.
Hetimet tregojnë se rrjeti operonte përmes platformave online si “ALPHASCRYPTO”, “CAPITALMARKET24” dhe “GOLDCAPITAL24”, ku viktimat josheshi n përmes reklamave të rreme, shpesh duke përdorur emra personazhesh të njohur për të krijuar besueshmëri.
Pasi bindeshin të investonin, qytetarët transferonin shuma të konsiderueshme parash, por investimet nuk realizoheshin kurrë. Fondet më pas kalonin në një rrjet të ndërlikuar për pastrim parash.
Sipas të dhënave të hetimit, një pjesë e konsiderueshme e këtyre shumave është konvertuar në kriptovaluta, me rreth 8 milionë dollarë të transferuara në këtë formë.
Autoritetet austriake kanë identifikuar edhe përfitues të mundshëm të këtyre fondeve, ku dy shtetas shqiptarë dyshohet se kanë përfituar miliona dollarë nga aktiviteti kriminal.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
