Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka akuzuar mazhorancën në Kuvend për fshehjen e dosjes që lidhet me çështjen e Belinda Ballukut, duke kërkuar publikimin e menjëhershëm të saj.
Nga foltorja e Parlamentit, Shehaj deklaroi se prej një muaji dosja ndodhet në Kuvend, por sipas tij nuk është vënë në dispozicion të deputetëve. Ai e cilësoi situatën si të papranueshme dhe akuzoi shumicën se po mbron korrupsionin përmes postit që mban.
“Po mbroni një të korruptuar. Kemi një muaj që keni marrë dosjen e Ballukut dhe nuk na e keni dërguar. Ajo dosje në këtë Kuvend thuajse nuk ekziston,” – u shpreh Shehaj.
Ai paralajmëroi se nëse dokumentacioni nuk bëhet publik, çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, duke shtuar se përgjegjësia politike do të mbetet mbi drejtuesit e Kuvendit.
Sipas Shehajt, qytetarët kanë të drejtë të informohen mbi përmbajtjen e dosjes dhe përgjegjësitë e mundshme që mund të dalin prej saj, duke përfshirë jo vetëm zyrtarët e qeverisë, por edhe çdo palë tjetër të përfshirë.
