Një emër i ri po ngjall frikë në fushëbetejën e Ukrainës: “Rubicon”, njësiti elitar i dronëve të ushtrisë ruse, i cili konsiderohet tashmë si arma më e sofistikuar e Kremlinit në këtë luftë. Kjo strukturë e specializuar u krijua në vitin 2024 me një urdhër të posaçëm të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe brenda pak muajsh ka fituar reputacionin e një makinerie lufte që godet pa paralajmërim.
Operacionet dhe taktikat
Rubicon përdor FPV drone (dronë me pamje të drejtpërdrejtë), sisteme elektronike për neutralizimin e komunikimeve, si dhe teknologji të reja për të shmangur ndërhyrjet kundërshtare. Objektivat kryesorë të tyre nuk janë vetëm bazat dhe mjetet ushtarake ukrainase, por edhe pilotët e dronëve të Kievit, radarët dhe pikat logjistike prapa vijës së frontit. Raportet e fundit tregojnë se ky njësi arrin të paralizojë operacionet e dronëve ukrainas duke i goditur që nga distanca, një strategji që ka prishur balancat në fushëbetejë.
Misteri i lidershipit
Megjithëse emri i njësisë tashmë është i njohur, udhëheqësit e saj mbeten një enigmë e plotë. Asnjë figurë nuk është identifikuar publikisht si komandanti i Rubicon, çka e bën këtë strukturë edhe më të vështirë për t’u dekoduar nga shërbimet inteligjente perëndimore. Burime të huaja e lidhin drejtpërdrejt me strukturat sekrete të Kremlinit, duke sugjeruar se bëhet fjalë për një projekt të nivelit më të lartë shtetëror.
Një test për NATO-n dhe Perëndimin
Ekspertët ushtarakë paralajmërojnë se Rubicon nuk është thjesht një njësit që lufton në Ukrainë, por një laborator lufte ku Rusia po teston taktikat e ardhshme të konfrontimit me NATO-n. Nëse këto metoda rezultojnë të suksesshme, ato mund të përdoren edhe në skenarë më të gjerë përballjesh në Evropë.
