Shfarosja e emigracionit të paligjshëm, mbështetja për të thelluar reformat, trajnimi gjyqtarëve dhe asistenca ekonomike në fusha të ndryshme, kanë qenë dje disa nga temat për të cilat ka folur Sekretari i Jashtëm Britanik, David Cameron gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, ndërkohë që pas qëndrimit disa orësh ai ka fluturuar me urgjencë drejt Londrës, duke bërë që takimet e planifikuara me Presidentin Bajram Begaj dhe kreun e SPAK, Altin Dumani të mos zhvillohen. Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron ndërpreu në mes vizitën e tij në Shqipëri, për t’u nisur me shpejtësi drejt Londrës, ku mori pjesë në një mbledhje urgjente të kabinetit qeveritar. Sekretari i Jashtëm, i cili ishte në Tiranë për të diskutuar politikën e imigracionit, u thirr urgjentisht në Britani që të mund të merrte pjesë në takimin e Downing Street rreth orës 16:00. Arsyeja e kësaj thirrje urgjente erdhi për shkak se kryeministri britanik, Rishi Sunak nuk përjashtoi mundësin e thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, fjalët u përhapën me shpejtësi në Westminster, se kryeministri mund të thërriste një votëbesim brenda pak orëve. Sidoqoftë duhet theksuar se vizita e Lordit Cameron në Shqipëri ishte histori suksesi, teksa Sekretari i Jashtë Britanik tregoi edhe njëherë gatishmërinë se Londra zyrtare mbështet thellimin e reformave në gjyqësor dhe ekonomi, duke treguara hapur mbështetjen për vendin tonë. Diplomati Cameroni u takua “kokë më kokë” me kryeministrin Edi Rama, ndërkohë që më pas dolën në një konference të përbashkët shtypi. Fjalën e tij, Sekretari i Jashtëm të Britanisë së Madhe, e nisi me vlerësime për Shqipërinë, të cilën e konsideroi një histori suksesi jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për rolin e saj në arenën ndërkombëtare. Në vizitën e shkurtër vetëm 2-orëshe në Tiranë, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar mesazhet i kishte të qarta. Pa nguruar ta cilësojë të suksesshme punën e bërë deri më tani mes palëve, kërkoi vazhdimin e luftës së përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe. Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron deklaroi se Shqipëria duhet të çojë përpara me reformat, ndërsa shprehu gatishmëri se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë të japë kontribut në sistemin gjyqësor. Po ashtu, Britania do financojë hekurudhën Durrës-Prishtinë.
Nga shfarosja e emigracionit të paligjshëm, te mbështetja për të thelluar reformat, trajnimi gjyqtarëve dhe asistenca ekonomike në fusha të ndryshme, Sekretari i Jashtëm Britanik mbyll vizitën në Tiranë dhe niset me urgjencë drejt Londrës
Data
