Komisioni Europian ka publikuar raportin vjetor “Sundimi i Ligjit” për Shqipërinë, ku në seksionin “Liria e Media”, ngre shqetësimin e pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Medias Audio-Vizual (AMA).
Ky institucion drejtohet nga Armela Krasniqi, e cila ka qenë pjesë e stafit të Edi Ramës dhe pjesën më të madhe të karrierës së saj ka punuar në Partinë Socialiste. Ajo u zgjodh nga Kuvendi më 7 Korrik të vitit 2021 me 83 vota pro, ku socialistët shpërfillën të gjitha rekomandimet dhe thirrjet e Bashkimit Europian dhe organizatave ndërkombëtare të mediave, të cilat ishin kundër zgjedhjes së Armela Krasniqit në krye të AMA-s. Gjithashtu, veç kryetares, shqetësime ngrihen edhe për anëtarët e bordit që janë po ashtu politik.
Shqetësimet në rritje janë edhe për pavarësinë e transmetuesit publik, ku përmenden dhe parregullsitë procedurale në procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të ri në janar 2025. Sipas raportit këto parregullsi dëmtuan më tej parimet e përzgjedhjes bazuar në meritë dhe pavarësisë së RTSH.
Në raport thuhet dhe se përqendrimi i lartë i pronësisë së medias vazhdon të ndikojë negativisht në pavarësinë e medias, ku thuhet më tej se depërtimi në tregun mediatik nga grupe biznesi të profilit të lartë me lidhje politike mbetet gjithashtu një shqetësim serioz.
Një tjetër shqetësim që ngrihet janë edhe mangësitë në lidhje me të drejtën për akses në informacion, ku institucionet nuk japin informacionin e kërkuar për “interesin publik”. Po ashtu, theksohet se ka problematike dhe me ndarjen e reklamave dhe burimeve të tjera shtetërore.
