Nga njoftimi te korrigjimi: Pse heziton Kushtetuesja për çështjen Balluku?

Data

Gjykata Kushtetuese u përfshi në një situatë të pazakontë komunikimi publik, teksa ndryshoi dy herë njoftimin zyrtar për shtyrjen e shqyrtimit të ankimit të kryeministrit lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Energjitikës, Belinda Balluku. Ajo që në pamje të parë dukej si një vonesë procedurale, në detaje pasqyron një pështjellim të brendshëm që ka hapur pikëpyetje për mënyrën si po trajtohet kjo çështje me ndjeshmëri të lartë institucionale.

Njoftimi i parë: justifikimi me nenin 24

Më 27 nëntor, Gjykata Kushtetuese njoftoi se seanca paraprake për ankimin e kryeministrit do të zhvillohej në 2 dhjetor 2025. Në versionin fillestar të njoftimit, theksohej se kolegji treanëtarësh ishte plotësuar një ditë më parë me gjyqtaren Marsida Xhaferllari, ndërsa kjo e fundit kishte marrë aktet vetëm pasditen e 26 nëntorit. Duke iu referuar nenit 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, në njoftim thuhej se gjyqtarët duhet t’i kenë aktet të paktën dy ditë para mbledhjes së kolegjit, dhe për këtë arsye shqyrtimi u shty.

Sipas këtij versioni, arsyeja e shtyrjes lidhej drejtpërdrejt me përfshirjen e vonë të Xhaferllarit në kolegj dhe koha e pamjaftueshme për të shqyrtuar dokumentet.

Njoftimi i dytë: ndryshimi që ndezi pikëpyetje

Vetëm disa orë më vonë, teksti u modifikua. Në njoftimin e korrigjuar u shtua se të tre anëtarëve të kolegjit u ishin shpërndarë aktet më 26 nëntor, e njëkohshme me njoftimin e marrë nga Xhaferllari.

Ky detaj ngre pikëpyetjen e parë logjike:

Pse në njoftimin fillestar shtyrja u argumentua me faktin se aktet i kishte marrë vonë vetëm Xhaferllari, kur në të vërtetë i gjithë kolegji i kishte marrë atë ditë?

Në thelb, ndryshimi krijoi përshtypjen se shtyrja mund të mos ketë qenë thjesht një çështje teknike, por një vendim ku justifikimi procedurial u përdor si mbulesë.

Standardi i përparësisë vs. aplikimi selektiv i nenit 24

Vete Gjykata Kushtetuese, si në njoftimin fillestar ashtu edhe në versionin e rishikuar, theksoi se çështja “Balluku” konsiderohet prioritet për shkak të interesit publik. Megjithatë, veprimet konkrete nuk e përforcojnë këtë vlerësim.

Raste të tjera të trajtuara kohët e fundit si me prioritet janë shqyrtuar brenda një kohe shumë të shkurtër, pa mbajtur peng procedurën nga nenet formale të rregullores. Një rast i freskët është ai i ankesës së një kandidateje për Gjykatën Kushtetuese, ku dokumentet u shpërndanë brenda ditës dhe trupa u mblodh dy herë brenda 24 orëve nga marrja e akteve.

Krahasuar me këtë praktikë, vonesa prej katër ditësh për çështjen Balluku bie në kontrast të fortë me standardin e deklaruar të “shqyrtimit me përparësi”.

Kush përfiton nga shtyrja?

Shtyrja krijon një dritare kohore më të gjerë për një proces gjyqësor që ka ndikim të fortë politik dhe institucional. Në 2 dhjetor, kolegji treanëtarësh do të ketë përpara disa opsione vendimtare:

  • Mospranimi i ankimit, çka do të thotë largim përfundimtar i Ballukut nga detyra.
  • Kalimi i ankimit në Mbledhjen e Gjyqtarëve, por pa pezulluar vendimin e GJKKO.
  • Pranimi i pezullimit të masës ndaj Ballukut, duke rikthyer në fuqi ushtrimin e detyrës së saj.

Secili variant ka pasoja të rëndësishme në ekuilibrat qeveritarë dhe në përplasjen institucionale me GJKKO-në.

Këto rrethana e bëjnë më të kuptueshme sesi një shtyrje disa ditore mund të jetë e leverdishme për aktorë të ndryshëm, duke krijuar hapësirë për analiza, diskutime të brendshme apo edhe ndikime të mundshme.

Dilema mbi rolin e kryetares në detyrë

Një element tjetër thelbësor është fakti që masa e shtyrjes është kërkuar nga gjyqtarja që aktualisht ushtron detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese. Ky rol e vendos atë në qendër të pritshmërive të mëdha dhe presioneve të mundshme, sidomos në një periudhë kur institucioni pret zgjedhjen e kryetarit të ri pas përfundimit të mandatit të paraardhëses.

Fakti që njoftimi u korrigjua menjëherë pas publikimit ngre edhe dyshime për koordinimin e brendshëm dhe pengesat e padukshme që shoqërojnë procesin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related