Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me thirrjen e presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, këtë të enjte në Spak.
Gazetarja Sara Demushi ka zbuluar se Meta po merret në pyetje nga prokurori Sotir Kllapi, i cili është prokurori që po heton shpenzimet e ndërhyrjeve estetike të anëtarëve të familjes Meta, por dhe lobimin në SHBA të bërë nga ish-LSI-ja.
Këto dy hetime sipas gazetares janë bashkuar në një dosje të vetme, ku organi i akuzës po shkon drejt përfundimit të hetimeve dhe kalimit në gjykatë të çështjes.
“Ilir Meta ndodhet në Prokurorinë e Posaçme ku është duke u marrë në pyetje nga prokurori Sotir Kllapi, bëhet fjalë për të njëjtin prokuror që 1 ditë më parë ka marrë për 5 orë në pyetje ditën e djeshme Monika Kryemadhi. Çështjet për të cilat Meta është thirrur pranë organit të akuzës janë shpenzimet e padeklaruara për ndërhyrjet estetike si dhe çështja për lobimin në SHBA të cilat janë bashkuar në një hetim. Kujtojmë se Meta është thirrur dhe dy herë të tjera në SPAK për hetimet në lidhje me aferën CEZ/DIA.”, tha Demushi.
