Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike vijoi punimet edhe me mesazhe të forta për rolin e diasporës shqiptare, ndërsa koordinatori i PD-së në Itali, Bardhok Doda, bëri thirrje për më shumë angazhim dhe bashkim të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Gjatë prononcimit të tij, Doda e cilësoi ditën e sotme si të veçantë për demokratët dhe për shqiptarët në tërësi, duke theksuar se diaspora duhet të luajë një rol edhe më aktiv në zhvillimet politike dhe demokratike të vendit.
Ai vlerësoi përfaqësimin e diasporës në strukturat e Partisë Demokratike dhe e konsideroi atë një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes më të madhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut në vendimmarrjen politike.
Sipas Dodës, shqiptarët jashtë vendit duhet të jenë sa më të bashkuar dhe të organizuar për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe në të ardhmen e vendit. Ai shprehu gjithashtu kritika ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, duke e lidhur emigracionin dhe largimin e qytetarëve me situatën aktuale politike dhe ekonomike.
Përfaqësimi i diasporës është një nga temat kryesore të Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku drejtuesit e partisë kanë theksuar nevojën për të rritur rolin dhe ndikimin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit në proceset politike dhe institucionale të Shqipërisë.
