Sot, më shumë se çdo herë tjetër, kuptojmë se kriza e dijes nuk është një slogan — është realitet i hidhur në shumicën e shkollave tona. Rasti i një videoje të krijuar nga një fëmijë 10-vjeçar, e cila qarkulloi në Ditën e Alfabetit dhe që përmbante gabime thelbësore historike, nuk është as rastësi, as detaj i pafajshëm. Është pasojë direkte e një sistemi arsimor të lodhur, të çorientuar dhe të keqformuar, ku mësuesi shpesh nuk ka më mjetet, formimin dhe trajnimin e nevojshëm për të garantuar cilësi.
Në video u shtrembëruan fakte historike që çdo mësues i historisë duhet t’i dijë me saktësi. U përmend pjesëmarrja e figurave që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e Kongresit të Manastirit, ndërsa u la në hije figura madhore, përfshirë pjesëmarrjen e Sevastisë Qiriazi, gruas së parë që mori pjesë në një forum të tillë kombëtar — një moment me vlerë të jashtëzakonshme për historinë e emancipimit shoqëror dhe të barazisë gjinore.
Këto nuk janë gabime të padëmshme. Janë gjurmë të një mungese serioze profesionalizmi, ku mësimdhënia reduktohet në detyra sipërfaqësore, video me efekte të bukura dhe projekte pa thelb. Fëmija nuk fajësohet për këtë — ai bën aq sa mundet dhe aq sa i mësohet. Fajësohet sistemi që e çon mësuesin drejt varfërisë profesionale dhe nxënësin drejt padijes së strukturuar.
Problemi nuk qëndron vetëm te tekstet, Alterteksti apo kurrikula. Problemi qëndron te fakti se mësuesit nuk janë fuqizuar për të qenë ndërtues të dijes dhe jo thjesht përcjellës të rreshtave të shtrembër.
Në përsosjen e një orë mësimi, mësuesi duhet të jetë kërkues, i aftë, i informuar dhe i trajnuar. Në realitet, ai përballet me kurrikula të ngurta, paga të ulëta, mungesë zhvillimi profesional dhe një sistem që shpesh vlerëson mediokritetin mbi meritokracinë.
Jam mbështetëse e fortë e mësuesve që punojnë me pasion dhe integritet. Ata janë pasuria e vërtetë e kombit. Por po aq e vërtetë është se sistemi aktual e ka vendosur mësuesin e aftë pas atij që nuk e meriton as përgjegjësinë, as titullin, as profesionin.
Dhe ky është një dëm që i bëhet jo vetëm arsimit, por vetë të ardhmes së vendit.
Përmes arsimit krijohen qytetarë. Përmes arsimit ndërtohet shteti. Përmes arsimit ruhet identiteti. Kur arsimi dështon, dështojnë të gjitha.
Prandaj kjo thirrje nuk është për një video, as për një gabim të vetëm. Kjo është thirrje për një rindërtim të plotë të kulturës së mësimdhënies:
• më shumë formim shkencor për mësuesit,
• më shumë përgjegjshmëri profesionale,
• më shumë vëmendje ndaj së vërtetës historike,
• më shumë hapësirë për mendim kritik,
• më shumë forcë për ta bërë mësuesin burim dijeje, jo viktimë të sistemit.
Fëmijët tanë nuk meritojnë të jenë viktima të padijes. Ata meritojnë mësues që i ngrenë lart, jo mësues që i mbajnë “çalamanë” mbi tokë.
Nëse gabimi i një mjeku të fut në dhe,
gabimi i një mësuesi të lë sakat përjetë.
