Rreth 320 HEC-e të ndërtuar mbi rrjedhat lumore po thajnë për ujë mijëra hektarë tokë dhe po rrudhin ekonomitë lokale të zonës, pasi nuk respektojnë “rrjedhën minimale ekologjike” të ujit, një kusht i detyrueshëm në kontratën koncensionare. Pasojat po i vuajnë edhe buxhetet e bashkive, që po shpenzojnë miliona lekë për të çuar ujin për vaditje atje ku ishte më parë.
Një vit më parë, përpjekja e sipërmarrësit Altin Prenga për të rigjallëruar traditën e orizit në fshatin Zadrimë, dështoi për shkak të mungesës së ujit. Ai humbi prodhimin, dhe për këtë, fajësoi HEC-in e Ashtës.
“Miliona metër kub ujë që derdhen në Zadrimë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe që përdoreshin verës për vaditje, tani nuk mund të përdoret më asnjë pikë ujë në shtator”, denoncoi në atë kohë Altin Prenga. “Kuptoj uji i tepërt, por që t’i hiqet bujqësisë është një krim”, tha më tej ai.
Duke qenë se Prenga është një biznesmen me ndikim për shkak të modelit të suksesit që ka aplikuar në zonën e tij, iu desh vetëm ky denoncim publik që institucionet të reagonin për të zgjidhur situatën. Sivjet ai mundi të prodhojë 90 kv oriz.
“Këtë vit kemi pasur ujë boll. E gjetëm menjëherë zgjidhjen me koncensionarin”, tregon Prenga, duke shtuar se gjithsesi kontrata e 12 viteve më parë duhet rishikuar për t’i lënë ujë komunitetit jo vetëm në muajt qershor – gusht.
