Prokuroria e Shkodrës dje ka sekuestruar pasuritë e biznesmenit të njohur, Ago Gjolaj, si dhe personave të lidhur me të, pasi ndaj tyre rëndon akuza e veprës penale e “Pastrimi i Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’. Sipas Prokurorisë raportohet se pas hetimeve të kryera ka rezultuar se biznesmeni Gjolaj është marrë me kontrabandimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë, gjithashtu është evidentuar si pjesëmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike. Sakaq, sipas prokurorisë thuhet se pasuritë e tij dhe të familjarëve të tij nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike. ‘Kjo prokurori, ka regjistruar procedimin penal nr.1042 datë 27 Korrik 2017 për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Nga shqyrtimi i materialit kallëzues referuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Policinë e Shtetit rezulton se në bazë të informacioneve dhe dokumentacionit të administruar bazuar në ligjin nr.108 datë 31.07.2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, rezulton se shtetasi Ago Gjolaj, ka dyshime se merret me kontrabandimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë si dhe është evidentuar si pjesëmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Bashkëshortja blen jaht 300 mijë euro
Nga ana tjetër, Policia e Shkodrës bën me dije se Sonela Gjolaj, bashkëshortja e biznesmenit, Ago Gjolaj ka nënshkruar një kontratë më datë 12 prill 2018 për blerjen e një jahti me vlerë 300 mijë euro prej një shtetasi malazez S.J., i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash. ‘Pas referimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, e cila është vënë në dijeni nga Zyra Kombëtare Interpol Tirana, se autoritetet e Malit të Zi kanë qenë duke hetuar shtetasen shqiptare Sonela Gjolaj, subjekt i lidhur me shtetasin Ago Gjolaj, pasi më datë 12.04.2018, ajo ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë 300,000 (treqind mijë) euro nga shtetasi malazez S.J, i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash’, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pasuritë e sekuestruara
Menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka vendosur sekuestrimin e pasurive të biznesmenit Ago Gjolaj. Konkretisht, janë sekuestruar: -Shoqëria tregtare “B.M” SHPK -Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shoqërisë “B.M” SHPK, konkretisht, pasuria nr. 1155/8 ND2+N2, vol.28, fq.58, ZK.2105, Show Room, me sipërfaqe 199 m2; pasuria nr.1345/1, vol.10, fq.176, ZK.2221 indeks harte k-34-63 (95-D), adresa Koplik i sipërm, Rr.1, Malësi e Madhe dhe pasuria nr.37/4, vol.6, fq.69, ZK.1977; -97 automjete në pronësi të shoqërisë “B.M” Shpk; -Gjendja aktuale në të gjitha llogaritë bankare (llogari rrjedhëse/depozita) në të gjithë bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë në emër të shtetasit A.Gj, shtetases S.Gj, si dhe të shoqërisë “B.M” SHPK;
Aktiviteti i shoqërisë
Më tej bëhet me dije se Shoqëria “B.M” Shpk; merret me tregtim mallrash të ndryshme industriale Pije energjike, alkolike dhe distribucione të tyre me shumicë dhe pakicë, ushqimore, fruta perime, tregtim automjetesh të çdo marke dhe tonazhi e pjesë këmbimi, eksport-import, tregtim makinerish të ndryshme dhe pajisje industriale dhe materiale në fushën e ndërtimit, pllaka, sanitare, hidraulike, qeramike, hidrosanitare, prodhim duralumini dhe tregtim i tyre, tregtim bimësh medicinale e drusore eksport-import. Eksport-përpunim kafe, sheqeri, mielli, orizi, mishi etj. elektroshtëpiake artikuj eksport -importi-lëndë ndërtimi eksport-import, komplekse blektorale e bujqësore si shpend, vica, derra etj, artikuj fruta e perime eksport-import, turizëm, argjendari, bizhuteri. prodhim uji. Shërbime ndërmjetësimi. Huadhënie.
