Në shtator thirren në SPAK Meta, Berisha dhe Rama, ja njerëzit e pushtetshëm që janë rreshtuar në dyert e Prokurorisë..

Data

Në shtator thirren në SPAK Meta, Berisha dhe Rama, ja njerëzit e pushtetshëm që janë rreshtuar një nga një në dyert e Prokurorisë së Posaçme, si po qepen aferat për ish-kryeministra, ish-presidentë, ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, kryebashkiakë, oligarkë dhe zyrtarë të lartë në ushtri, në skaner pasuritë e tyre, kontrolle në institucione, banesa e vila, sekuestrime telefonash dhe dokumente të rëndësishme, zbardhen dosjet që po hetohen.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) po fundos dhe mban në ankth pushtetarë shumë të lartë. Një numër i madh politikanësh, funksionarësh apo ish zyrtarësh, kryesisht të niveleve të larta të pushtetit qendror dhe atij lokal, vazhdojnë të kapërcejnë pragun e godinës së SPAK-ut në Tiranë, prej nga jo të gjithë po dalin prej aty. Si kurrë më parë, drejtësia nuk po stepet dhe para emrave me peshë. Madje në shtator burime bëjnë me dije se në SPAK pritet të thirret kryeministri Edi Rama, por edhe ish-presidenti Ilir Meta, pasi emri i tij shfaqet në disa çështje që po heton Prokuroria e Posaçme, si edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Disa nga emrat qw janw thirrur dhe po hetohen nga SPAK janë Olta Xhaçka, presidenti i PL Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Sali Berisha, djali i tij Shkëlzen Berisha, ish-ministri demokrat Aldo Bumçi, Petrit Vasili, Vangjel Tavo, Frida Krifca, Damian Gjiknuri, Fatmir Mediu, Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu, Jamarbër Malltezi, Erion Veliaj, Belinda Balluku, Engjell Agaçi, Flamur Noka, Luan Baçi, Elona Guri, Endrit Braimllari, Saimir Tahiri, oligarkë si Samir Mane, si edhe zyrtarë të përfshirë te afera e pronave në ushtri duke nisur nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, ish-shef shtabi i ushtrisë shqiptare Jeronim Bazo, gjenerali Ilir Xhebexhia, kundëradmiral Adnan Agastra, Altin Kurti, Ilir Pujo, Asllan Dogjani.

Meta, Berisha dhe Rama në SPAK

Deri më tani kemi parë të gjithë bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama që të shkojnë një nga një në dyert e Prokurorisë së Posaçme. Por radhën shumë shpejt do e ketë vetë kreu i qeverisë pasi hetimet e SPAK për dosjet qeveritare po shkojnë deri në pikën ku fjalën e fundit do ta ketë lideri i tyre. Me rastin e klubit Partizani, Sali Berisha u fundos për një vendim të qeverisë dhe vendim kolektiv. Kjo lëvizje e SPAK fut Ramën në rrethin e kuq, pasi sot që flasim janë dhjetëra socialistë të burgosur, të cilët akuzohen se janë përfshirë në zullume, por që në të vërtet kanë qenë firmat për Edi Ramën që i fundosën. Dosja që mund të tronditë pozitat e tij, është ajo e inceneratorëve dhe “McGonigal”. Nga ana tjetër, siç është raportuar deri tani, Meta hetohet për aferën CEZ-DIA, paratë e fshehura të lobimit në SHBA dhe fshehje të pasurisë. SPAK pritet të bëjë modalitetet e fundit dhe pronat dhe paratë e deklaruara që dyshohet se kanë gjetur gjatë këtyre muajve hetim, pritet ta çojnë sërish Ilir Metën në dyert e SPAK për të bërë ballafaqimin. Nga ana tjetër, në SPAK pritet të thirret edhe Sali Berisha. Ai do të japë dëshminë e tij për 21 Janarin dhe Gërdecin.

“Gërdeci”

Aldo Bumçi, ish-ministër drejtësie në qeverisjen e Sali Berishës gjatë kohës që shpërtheu Gërdeci u mor në pyetje vitin e kaluar nga SPAK. Për më shumë se 1 orë, Bumçi ka dhënë sqarime mbi hetimet për tragjedinë, mes të cilave edhe për shkresën zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në cep të së cilës shkruhej “për Shkëlzen Berishën”. Pas 15 vjetësh, Bumçi është kujtuar të tregojë se nuk e ka shkruar ai shkresën, por që kemi të bëjmë me një falsifikim. Mesa duket hetimi nga drejtësia e re e mbështetur fuqishëm nga amerikanët do të shkojë dhe tek familja kryeministrore që ka lidhje me këtë krim të rëndë ekonomik e njerëzor. Shkëlzeni ka dhënë llogari, por Berisha, që në emër të qeverisë pranoi dhe firmosi hapjen e fabrikës së demontimit, nuk është thirrur asnjëherë.

Saimir Tahiri në dyert e SPAK

Më 15 gusht, u paraqit në SPAK me xhaketë bezhë, me syze dhe një shishe ujë në dorë ish ministri i Brendshëm Saimir. Qëndroi rreth 2 orë e gjysmë në SPAK, – nga ora 13:00 deri në 15:40 (24 qershor 2024) – ku ishte thirrur nga prokurori Elvin Goga në lidhje me një hetim pasuror të nisur ndaj tij prej disa muajsh. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Tahiri nuk foli për mediat, ndërsa pyetjeve të shumta të gazetarëve zgjodhi t’iu përgjigjet vetëm me “Nuk kam asgjë për të thënë”.

Vangjel Tavo dhe kupola e LSI në dyert e SPAK

Prefekti i qarkut të Vlorës Vangjel Tavo është paraqitur në SPAK më 4 qershor. Ai ka hyrë në ambientet e SPAK rreth orës 09:30. Pasi doli nga SPAK (Ora 10:44) Tavo tha se kishte shkuar atje në cilësinë e personit që kishte dijeni për një kallëzim të bërë në vitin 2021. Por ndaj Tavos, SPAK ka një çështje shumë përvëluese që mund të fundosë atë dhe kupolën e LSI, bashkë me Monika Kryemadhin. Dosja e lobimit në SHBA është drejt fundit dhe SPAK ka thirrur gjatë 2023 gjithë kupolën e ish-LSI, duke thirrur dhe hetuar politikanë nga Petrit Vasili, Ish Ministri Edmond Panariti, Elona Gurin dhe biznesmenë afër tyre. SPAK në këtë dosje ka sekuestruar telefona dhe dokumente të rëndësishme ku dalin firmat që fundosin zyrtarët e ish-LSI.

Afera CEZ-DIA

Sipas informacioneve, hetimet për këtë dosje po zhvillohen në mënyrë shumë sekrete. SPAK ka marrë në pyetje Petrit Ahmetin, kryetarin e bordit të Entit Rregullator të Energjisë për shkak të detyrës që ai ka mbajtur vite më parë gjatë kohës kur u lidh marrëveshja e shumë lakuar CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve. Po ashtu është pyetur dhe Nasip Naço për këtë çështje si edhe është marrë në pyetje edhe Ilir Meta, koka e kësa afere.

Pronat në ushtri

Skandali tjetër që po qepet dhe është po drejt fundit të hetimeve është ai i tjetërsimit të pronave të Ushtrisë tashmë. Disa kallëzime në seri të ish-ushtarakut të lartë, Artur Meçollari, kanë dërguar në dyert e SPAK-ut ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, si edhe funksionarë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura. Ata janë pyetur dhe vënë nën hetim për pronat e Forcës Detare: Baza Detare Sarandë, Baza Detare Shëngjin, tjetërsimi i 133 ha dhe Prona nr, 219 në Porto Romano. Mësohet se ish-ministrja Olta Xhaçka, ka dalë 2 herë para prokurorëve të çështjes. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku 2 herë. Ish-shef shtabi i ushtrisë shqiptare Jeronim Bazo 1 herë. Gjenerali Ilir Xhebexhia 2 herë. Kundëradmiral Adnan Agastra, 2 herë. Altin Kurti dhe Ilir Pujo 1 herë. Gjithashtu janë sekuestruar telefona dhe tokë për këtë skandal. Nga 30 celularë të bllokuar dy ju përkasin dy nga gjeneralëve e pyetur dhe nën hetim. Plotë 70 ha të Forcës Detare aktualisht janë nën sekuestro preventive.

Në skaner Flamur Noka, Luan Baçi dhe Asllan Dogjani

SPAK ka vënë nën hetim edhe deputeti demokrat Asllan Dogjani. Në korrik ai u mor në pyetje nga prokurorët dhe refuzoi të japë detaje, mirëpo mësohet se është thirrur mbi hetimet që kanë nisur ndaj tij, pasi ka dyshime se ka fshehur pasurinë, duke mos e deklaruar atë saktë në deklarimin vjetor në ILDKP. Sipas informacioneve, SPAK ka dërguar shkresa në disa institucione, si Kadastra, ILDKP, etj, teksa pjesë e dosjes është bërë dhe dëshmia e deputetit. Më herët shkoi në SPAK, Luan Baçi. Ai është shprehur se denoncimi ishte bërë nga një ‘patronazhist’ në Fier. Mësohet se Luan Baçin e ka çuar në SPAK shtetasi Aredin Behari. Në këtë kallëzim, shtetasi Behari pretendon se deputeti Baçi ka fshehur një pasuri prej gati 800 mijë euro nëpërmjet makinacioneve me një investim me njeriun e tij të afërt. Shtetasi Behari nëpërmjet provave tregon se si në periudhën 2010-2011 deputeti Luan Baçi, nëpërmjet bashkëshortes së tij, bën një investim në vlerën e 783 mijë eurove cash në një kompleks turistik në Vlorë. Shtetasi Behari pretendon se deputeti Baçi nuk e deklaron këtë investim, pasi i druhet një hetimi pasuror nga ana e SPAK. Emër tjetër është Flamur Noka. SPAK ka nisur hetim pasuror për deputetin dhe familjen e tij. Në objektin e hetimit përfshihen hetimi dhe verifikimi i të gjithë transaksioneve financiare në emër të tij, bashkëshortes dhe dy fëmijëve. Hetimi shtrihet në të gjithë sistemin bankar të Shqipërisë dhe në të gjithë zyrat noteriale të vendit, për të parë dhe verifikuar shitjet, blerjet e pronave apo akt marrëveshjet e tjera të tij apo familjarëve me të tretë.

Niko Peleshi

Niko Peleshi është thirrur më 5 mars në SPAK. Peleshi është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas thuajse më shumë se 2 orësh qëndrim. Peleshi u paraqit në orën 10:00 në zyrat e SPAK. Edhe pse nuk kanë dalë detaje zyrtare se për çfarë ka dhënë llogari, raportohet se ministri mund të jetë thirrur në lidhje me hetimin për inceneratorët, marrëdhëniet me Klodian Zoton, për procedurën e matësit e ujit kur ka qenë në bashkinë e Korçës, ose për lidhjet e tij me skandalet në ushtri, dosje të cilën SPAK po e heton prej 3 vitesh. Jashtë SPAK, ministri Peleshi, tha shkurtimisht për gazetarët se ‘ishte aty për çështje funksioni’.

Damian Gjiknuri

Përpara Peleshit ka qenë ish-ministri Damian Gjiknuri, i cili u pyet për shtatë orë brenda Prokurorisë së Posaçme. Pasi doli nga SPAK, Gjiknuri refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për arsyet pse ishte thirrur. “Është krejt e zakonshme që të japësh deklarime në prokurori për ngjarje për të cilat ke marrë dijeni gjatë ushtrimit të detyrës”, tha Gjiknuri. “Pse këtu i doni përgjigjet”. Dy janë momentet që e lidhin ish-ministrin me paraqitjen e tij në prokurori. Një prej tyre është kallëzimi për rrugën Tiranë-Elbasan dhe përmendja e emrit të tij në dosjen e Arben Ahmetajt për incerenatorët. Deputeti socialist u paraqit në SPAK edhe disa javë më parë, kur iu përgjigj interesit të prokurorëve lidhur me një kallëzim të bërë prej tij në 2017 kur ishte ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë pas shkeljeve të konstatuara nga një raport auditi i ministrisë së Infrastrukturës. Mësohet se SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj Gjiknurit, nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimi mund të mos ketë lidhje me inceneratorët, por burimet thonë se hetuesit po kalojnë në sitë pasuritë e ish-ministrit Gjiknuri. Madje ka dyshime se i janë gjetur para, të cilat ai nuk i justifikon dot.

Ilir Beqaj

Një emër tjetër është Ilir Beqaj, i cili prej muajsh është bërë si “i shtëpisë” në SPAK dhe tashmë ndodhet në burg për abuzimet me fondet e BE. Pozitat e tij mund të tronditen edhe më shumë pas SPAK po thellon hetimet edhe në dosje të tjera ku ai është i implikuar. Mësohet se janë sekuestruar dokumente të rëndësishme në zyrën e tij. Madje prokurorët i kanë shtrirë hetimet deri në Poloni për trasnferta të dyshimta parash. Po ashtu po kryen kontrolle edhe mbi dosjen e “Check Up”, por edhe “Sterilizimi”, çështje që do të mësojmë lajme të reja në shtator.

Ogerta Manastirliu

Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u thirr disa muaj më parë në SPAK për të dëshmuar lidhur me aferën e “sterilizimit”. Kanë qenë dëshmitë e dhëna nga Beqaj që e kanë detyruar atë ta thërras dhe duket sikur Beqaj ka dashur që të kërkoj edhe përfshirjen e saj në këtë çështje. Janë edhe pak dëshmitarë që duhet të paraqiten në SPAK dhe brenda një muaji çështja e sterilizimit shkon në gjykatë bashkë me njoftimin e akuzave konkrete. Beqaj nuk mund ta fitoj statusin e të penduarit në këtë fazë hetimi, një muaj pas mbylljes së hetimeve. Por pika lidhëse mes Manastirliut që është devijancë e Beqajt në këtë çështje ka të bëjë që Manastirliu në postin e drejtoreshës së QSUT, ka kërkuar në 2012-2013 që sterilizimi i ngritur në atë kohë të vihej në funksion nga ministria e drejtuar nga Beqaj dhe nuk ka pasur një letër përgjigje nga ministri në atë kosh. Këtu duket se është ajo pika e errët për të cilën do të hetoj SPAK. Pra, është një kërkesë që është dërguar nga Manastirliu tek Beqaj.

Frida Krifca dhe zyrtarë të AZHBR

E rrezikuar është edhe Frida Krifca. Nëse Altin Dumani nuk mbyll sa më shpejt hetimin e fondeve bujqësore , dosja do çohet për hetim në EUROJUST, duke e trajtuar si “krim financiar ndërkombëtar”. Që do të thotë, se prokurorët e EUROJUST, do ta hetojnë vetë të kallëzuarën Frida Krifca dhe 7 vartësit e saj; duke i thirrur në Bruksel, e nëse do refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, do përdoren format e mjetet e detyrueshme ligjore, do përdoren format dhe mjetet e detyrueshme ligjore ndërkombëtare, për t’i hetuar e gjykuar në izolim atje.

Inceneratorët

Edhe sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku janë paraqitur para disa javësh në Prokurorinë e Posaçme. Ata kanë dhënë llogari për aferën e inceneratorit të Tiranës. Gjithashtu për këtë çështje në fund të muajit prill, u paraqit në SPAK dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili qëndroi afro 7 orë përballë hetuesve. Po ashtu drejtësia ka thirrur edhe kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako. Kjo dosje ka emra të tjerë që do të thirren e hetohen. Një ndër ata është edhe Edi Rama, i cili do thirret në SPAK pas denoncimeve të Arben Ahmetajt.

Kryebashkiakë në SPAK

Më shumë se 1/3 e kryebashkiakëve nga 61 që janë në vend, po hetohen dhe verifikohen nga Prokuroria e Posaçme. Kujtojmë se SPAK fundosi ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro dhe Fredi Belerin. Gjithashtu, Edison Memolla, kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës po hetohet për pastrim parash, por përveç korrupsionit zgjedhor ku përfundoi në gjykatë çështja ndaj tij, ndaj Memollës nisi hetimi edhe për shpërdorim detyre muaj më parë me dyshimet se ka abuzuar me fondet e rindërtimit. Përveç Memollajt, janë disa kryebashkiakë aktualë, një pjesë e mirë e tyre kanë shkuar njëherë në SPAK, ose u është referuar dosja në Prokurori për tendera të dyshimtë dhe abuzime me detyrën. Ishte pak muaj më më parë Leonard Hide, kreu i Bashkisë Libohovë, i cili përfundoi në SPAK, nën dyshimet se në kohën kur ka qenë shef krimesh në Gjirokastër ka favorizuar kultivimin e kanabisit në zonë. Është Rakip Suli. Dyshimet janë se z.Suli ka shpërdoruar detyrën dhe ka favorizuar kompani private në tendera me para publike, por ai vetë e ka cilësuar praninë e tij në SPAK si një shenjë të mirë se drejtësia funksionon.

Hetimet

Edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës Muharrem Rama është pyetur nga SPAK për aferën e konçesioneve në mjekësi kohë në të cilën ai ka qenë drejtues spitali. Ish kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi i cili humbi mandatin për shkak të ligjit të Dekriminalizimit është prej zyrtarëve lokal që është pyetur nga prokuroria e posaçme, ndërsa mbetet ende e pazbardhur çështja penale për të cilën ai ka dhënë deklarime. Ish kryetari Bashkisë Vlorë, Dritan Leli i cili nuk rikandidoi pas përplasjeve publike me Kryeministrin Edi Rama është një tjetër zyrtar që është pyetur nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK. Aktori sot politikan i cili drejton Bashkinë e Ersekës Erion Isai është pyetur nga SPAK në lidhje me tenderat dhe paratë publike, ndërsa ai u kallëzua edhe për tenderin e prerjes së pyjeve në bashkinë që ai drejton pasi zyrtar lokal të niveleve të ulëta u arrestuan.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related