Në arrati prej 7 vitesh për inceneratorin, Shqipëria çon në pranga ish-ministrin në Brazil

Data

Pas shtatë vitesh në arrati, ka përfunduar në pranga në Brazil ish-ministri i Jashtëm i Perusë, Manuel Augusto Blacker Miller, i përfshirë në aferën e inceneratorëve në Shqipëri dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kod të kuq nga Interpol, me kërkesë të autoriteteve shqiptare.

Ish-diplomati 80-vjeçar u arrestua në Rio de Janeiro, në lagjen Flamengo, pas një operacioni të Policisë Federale braziliane, e cila kishte ndjekur prej kohësh lëvizjet e tij. Arrestimi u krye pa rezistencë dhe i dha fund një periudhe të gjatë fshehjeje, gjatë së cilës ai jetonte në disa banesa për të shmangur lokalizimin nga autoritetet.

Sipas mediave braziliane, përfshirë portalin UOL, operacioni u realizua nga Njësia e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, pas aktivizimit të njoftimit të kuq të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Prokurorisë shqiptare.

Akuzat nga Shqipëria

Autoritetet shqiptare e akuzojnë Blacker Miller për mashtrim financiar, lidhur me një projekt për ndërtimin e një inceneratori për mbetjet urbane, i cili dyshohet se nuk është realizuar kurrë. Sipas hetimeve, ish-ministri ka ofruar një investim të rremë, duke shkaktuar dëm ekonomik të konsiderueshëm, ndërsa Prokuroria ka kërkuar ndaj tij një dënim prej 8 vitesh burg.

Blacker Miller kishte ardhur në Shqipëri pas largimit nga qeveria peruane dhe ishte përfshirë në aktivitet biznesi, madje kishte arritur të bëhej aksioner në një kompani vendase. Profili i tij mbeti i ulët për disa vite, deri në momentin kur emri i tij u përfshi në hetimet për aferën e inceneratorëve.

Një e kaluar e errët politike

Arrestimi në Brazil rikthen gjithashtu në vëmendje të kaluarën e tij në Peru. Në vitin 2007, ai u dënua me 4 vite burg për pjesëmarrje në grushtin e shtetit të 5 prillit 1992, të kryer nga ish-presidenti Alberto Fujimori, së bashku me anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.

Pas përfundimit të dënimit, Blacker Miller u largua nga Amerika Latine dhe u vendos në Europë, ku nisi një jetë të re në sektorin e biznesit, përpara se të zhdukej nga qarkullimi publik dhe të kalonte në arrati.

Çfarë pritet tani

Me arrestimin e tij, autoritetet shqiptare synojnë riaktivizimin e procedurave të ekstradimit, në mënyrë që ish-ministri të përballet me drejtësinë për akuzat që lidhen me aferën e inceneratorëve.

Kapja e tij në Brazil shihet si një zhvillim i rëndësishëm në hetimet ndërkombëtare që lidhen me këtë dosje, e cila vijon të prodhojë pasoja politike dhe penale edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related