Kryeministri Edi Rama udhëzoi publikisht Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, vartësin e tij, Artur Metani, që të nisë procesin ndaj gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Bani. Refreni që ne si maxhorancë nuk komentojmë vendimet e drejtësisë tashmë vate në koshin e plehrave. Por problemi është diku tjetër. Partnerët.
Kur Sali Berisha sulmonte SPAK dhe reformën në drejtësi, partnerët ishin gjithmonë aty për të mbrojtur investimin e tyre duke lëshuar reagime zyrtare të menjëhershme.
Por Sali Berisha vetëm fjalën ka. Kur në lojë hyn maxhoranca, problemi bëhet më kompleks. Sepse maxhoranca ka pushtetin dhe kryeministri nuk u fsheh fare kur i tha Metanit që të hetojë Banin dhe Dumanit që të hetojë se si gjyqtari i dha “Bufit të kënetës” detajet e dosjes së Toyota Aurisit. Madje, i parlajmëroi edhe që të mos e kruajnë me telefonin e tij.
A do të reagojnë partnerët me qëndrime zyrtare? A do të lëshojë ambasada e SHBA-së deklaratë në mbrojtje të SPAK dhe gjyqtarit që po kërcënohet nga ekzekutivi?
