Audituesi ligjor dhe konsulenti tatimor Julian Saraçi tha se regjistrimet në QKB dhe deklarimet tatimore në sistemin e tatimeve qendrore janë të njëkohshme për të gjithë institucionet e tjera publike, megjithatë, nuk përkthehen automatikisht në përditësim të detyrimeve për taksat vendore.
Ai sjell në vëmendje raste të shumta kur ndryshimet në xhiron e raportuar nga bizneset në organet tatimore nuk janë reflektuar në llogaritjen e taksave vendore apo raste regjistrimesh të reja.
“Mungesa e koordinimit mes bashkive dhe administratës qendrore, pavarësisht marrëveshjeve ekzistuese dypalëshe që kanë, mbetet shqetësuese. Ne kemi klientët tanë që kanë muaj që e kanë hapur biznesin, kanë dërguar dhe njoftim për regjistrim në taksat vendore (edhe pse nuk e kanë detyrim njoftimin) dhe akoma nuk e kanë faturën përkatëse për të paguar taksat vendore, edhe pse afati është 30 ditë pas hapjes së biznesit.
Apo kemi raste që klientët tanë kanë ndryshuar kategorinë prej xhiros së rritur dhe kjo gjë nuk është reflektuar në kohë në sistem dhe nuk ka pasur faturë për pagesë të gjeneruar, por është shfaqur pas 3 vitesh, bashkë me gjoba dhe kamatëvonesa edhe pse vullneti dhe korrektësia për të paguar ka qenë në çdo kohë”.
Për zgjidhjen e këtyre problemeve ai rekomandon se fillimisht është i domosdoshëm unifikimi i legjislacionit tatimor, për taksat vendore me ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
