Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka kërkuar me tone të forta në Kuvend që maxhoranca t’u vërë në dispozicion deputetëve dosjen e SPAK-ut për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e dërguar në Parlament bashkë me kërkesën për heqjen e imunitetit të saj.
Kapri akuzoi shumicën se po e shndërron Kuvendin në një “zyrë noterie”, ku vendimet merren sipas interesit politik dhe jo sipas ligjit, duke ngritur dyshime të forta për standarde të dyfishta në trajtimin e rasteve penale të zyrtarëve të lartë.
“Parlamenti po mbulon një dosje penale”
Sipas Kaprit, fshehja e dosjes së SPAK për Ballukun përbën një akt të rëndë mungese transparence dhe minon rolin kushtetues të Kuvendit. Ai theksoi se deputetët kanë të drejtë të njihen me materialet mbi bazën e të cilave kërkohet heqja e imunitetit të një ministreje.
“Na e vini në dispozicion dosjen. Jemi të gatshëm të nënshkruajmë për sekretin hetimor. Mos e mbani fshehur. Mos u fshihni pas procedurave”, deklaroi Kapri nga foltorja.
Akuza për intimidim dhe kapje të institucioneve
Deputeti kritikoi gjithashtu nismat ligjore të qeverisë, duke përmendur ndryshimet në Kodin Penal që sipas tij synojnë të regjistrojnë dhe intimidojnë gazetarët. Ai paralajmëroi se qeveria po krijon terren për ndjekje selektive dhe presion ndaj mediave kritike.
“Nuk pres që kjo qeveri të dijë kush është gazetar dhe kush jo. Ky ligj meriton debat të gjerë dhe jo kalim të fshehtë”, u shpreh Kapri.
Pyetje pa përgjigje për Ballukun
Kapri kërkoi sqarime të drejtpërdrejta nga maxhoranca: kur do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe pse dosja po mbahet larg deputetëve. Sipas tij, mungesa e transparencës krijon dyshimin se Kuvendi po përdoret për të mbrojtur një zyrtare të lartë nën akuzë.
“Mos e trajtoni drejtësinë sipas emrit dhe pushtetit. Nëse e mbani të fshehur dosjen, jeni bashkëpërgjegjës”, përfundoi Kapri.
