Mojtaba Khamenei, djali i dytë i ajatollahut Ali Khamenei, është përmendur nga disa media ndërkombëtare si pasardhësi i mundshëm në krye të Iranit, pas vdekjes së babait të tij në sulmet e fundit ushtarake.
Edhe pse autoritetet iraniane nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar, raportimet nga media izraelite dhe perëndimore sugjerojnë se ai mund të marrë postin e liderit suprem, një rol që ka qenë në qendër të sistemit politik iranian për dekada.
Sulmi ku humbi jetën Ali Khamenei thuhet se shkaktoi edhe vdekjen e disa anëtarëve të familjes së tij, përfshirë nënën, bashkëshorten dhe një nga motrat e Mojtabës, ndërsa vetë ai nuk ndodhej në vendin e bombardimit.
Pasuria dhe jetesa jashtë Iranit
Sipas një investigimi të Bloomberg, Mojtaba Khamenei zotëron disa prona luksoze në Londër. Raportohet se ai ka dy apartamente në zonën e Kensingtonit, në Londrën Perëndimore, me një vlerë që mendohet të kalojë 50 milionë paund.
Këto prona ndodhen në katin e gjashtë dhe të shtatë të një ndërtese rezidenciale dhe kanë pamje nga Ambasada Izraelite, ndërsa janë shumë pranë Pallatit të Kensingtonit, rezidencës së princit William dhe Kate Middleton.
Sipas raportimeve, Mojtaba i zotëron këto prona që nga viti 2014.
Hetimet mediatike sugjerojnë gjithashtu se ai mund të zotërojë edhe 11 shtëpi luksoze në zonën e Hampstead në veri të Londrës, përmes një kompanie të regjistruar në Ishullin e Manit.
Dyshime për survejim
Fakti që disa prej pronave kanë pamje nga Ambasada Izraelite ka ngritur shqetësime për mundësinë që ato të jenë përdorur për aktivitete të mundshme survejimi.
Këto zhvillime vijnë në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, ndërsa në veri të Londrës janë arrestuar katër persona me origjinë iraniane, të dyshuar për aktivitete spiunazhi në favor të shërbimeve iraniane të inteligjencës.
