Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së se dosja e AKSHI-t është më e rëndë dhe më skandaloze sesa ajo e Belinda Ballukut, duke theksuar se në qendër të saj ndodhet vetë kryeministri Edi Rama.
Sipas Berishës, dosja e AKSHI-t përfaqëson një rast të paprecedentë në historinë e Evropës për nivelin e përfshirjes së pushtetit politik në korrupsion. Ai akuzoi Ramën se është figura kryesore pas kësaj afere dhe se është detyruar të dalë publikisht në mbrojtje të Mirlinda Karçanajt për arsye personale dhe familjare.
Berisha u shpreh se drejtuesja e AKSHI-t është, sipas tij, “prestanome e Lindës së Surrelit”, duke pretenduar se e gjithë veprimtaria kriminale e kësaj agjencie shtetërore ka si bosht baxhanakun e Edi Ramës, kunatin e bashkëshortes së kryeministrit. Ai shtoi se ekzistojnë dokumente që, sipas tij, provojnë përfshirjen e këtij personi në tenderat e AKSHI-t.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu persona të afërt me kryeministrin se po punojnë për të shkatërruar dokumente dhe për të fshehur gjurmët e aferës, ndërsa biznesmenë janë marrë peng përmes procedurave të tenderimit.
Në përfundim, Berisha deklaroi se këto çështje, sipas tij, nuk mund të zgjidhen më nga drejtësia, por vetëm nga reagimi dhe revolta qytetare.
