Media franceze “Courrier des Balkans” i ka kushtuar një artikull të përbashkët Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit Edi Rama. Në artikull theksohet fakti që “kryeministri Edi Rama ka lidhje me rrjetet e krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës.” Po ashtu, theksohet se “kampet e ngritura nga Italia në Shqipëri për emigrantët, janë një mënyrë për të treguar se si e dominon Italia shtetin shqiptar.”
“Edi Rama, lidhjet e të cilit janë tepër të dukshme me rrjetet e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, duhet gjithmonë të bëhet i dobishëm për fqinjin e tij të madh, gjë që ai vetë e supozon, duke përsëritur se Italia do të jetë në gjendje të llogarisë gjithmonë te Shqipëria.” Po ashtu, “Përveç kësaj, Roma mbështetet në Tiranë, ashtu si llogaritet në një shërbëtor të cilin e dominon aq më mirë, pasi i njeh arratisjet dhe trazirat e tij. Askush nuk mund t’i konsiderojë të barabartë shërbëtorët e tyre, banorët e një hapësire të nënshtruar, rojet e një zone të rënies.”
Një tjetër çështje që media franceze ngre është marrëveshja e emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila u kritikua nga shtetet e Bashkimit Evropian. Por po ashtu në shkrim vihet re se më pas këto shtete evropiane kanë nisur ta mbështesin këtë nismë për të hequr emigrantët nga “kurrizet”e tyre.
Marrëveshja e lidhur një vit më parë mes kryeministrit autoritar dhe të korruptuar shqiptar Edi Rama dhe homologes së tij neofashiste italiane Giorgia Meloni u kritikua fillimisht nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit, të cilët në fund e mbështetën më së shumti këtë opsion. Presidentja e riemëruar e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, madje bën thirrje për “mësime” nga shembulli shqiptar duke propozuar përgjithësimin e “qendërve të kthimit”, pra qendrave të paraburgimit dhe dëbimit jashtë kufijve të Bashkimit.
“Ku do të vendosen këto ‘qendër’? Në Tunizi ndoshta, edhe në Libi, ndërsa Turqia, që nga marrëveshja e arritur në 2016 me Bashkimin Evropian, tashmë ka ‘misionin’ e mbajtjes së mërgimtarëve sirianë, në këmbim të parave të forta evropiane. Për pjesën tjetër, ‘nyjet’ e ardhshme do të shfaqen në vendet e Ballkanit, Bosnje-Hercegovinë, Serbi apo Mal të Zi,” theksohet në artikull.
Sipas medias franceze, Serbia dhe Shqipëria, të udhëhequra nga liderë të korruptuar dhe autoritarë si Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama, kanë hyrë në marrëveshje që i shërbejnë interesave të fuqive më të mëdha evropiane, si Italia dhe Gjermania, duke bërë kompromise që dëmtojnë interesat kombëtare të vendeve të tyre.
Kuvendi i Serbisë i dha dritën jeshile shfrytëzimit të litiumit, duke lënë mënjanë argumentet e ambientalistëve dhe opozitës. Litiumi, si mineralet e tjera, është thelbësor për një ekonomi globale në procesin e “dekarbonizimit”: çmimi i litiumit ka rënë përkohësisht, sepse tregu i makinave elektrike është larg nga mbajtja e premtimeve të tij, por ky mineral është i nevojshëm për shumë aplikime të tjera, veçanërisht në fushën aeronautike dhe ushtarake.
