Lista B e regjistrit zyrtar të pesticideve të miratuar nga Ministria e Bujqësisë vë në vështirësi fermerët. Në pak ditë sistemi i alertit të Komisionit Europian RAFFS sinjalizoi për dy ngarkesa specash nga Shqipëria me pesticide përtej normave të lejuara.
Më 10 korrik një ngarkesë me speca të freskët që vinte nga Shqipëria u detektua në doganën kroate me prani të lartë pesticidesh, më konkretisht formetanate.
Dy ditë më pas, më 12 korrik, dogana çeke njoftoi se në specat e bardhë të ardhur nga Shqipëria ishte gjendur sasi e lartë të famoxadone dhe formetanate, dy pesticide që konsiderohen të rrezikshme. Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian ngarkesa është shoqëruar me shënimin “serioz” për dëmin që mund të shkaktojë nëse do të ishte konsumuar. Rezultatet e analizave të publikuara që shoqërojnë ngarkesën tregojnë se në to është gjetur 0,037 mg/kg – ppm mbetje pesticidesh nga 0,01 mg/kg – ppm që është norma e lejuar.
Formetanate, është një pesticid helmues dhe shoqërohet me shenjën e kafkës. Në fletën udhëzuese të miratuar nga ministria e Bujqësisë thuhet se ai është “shumë toksik për organizmat ujore, mund të shkaktojë efekte afatgjata negative në mjedisin ujor si dhe është toksik për bletët”.
Pesticidi tjetër Famoxadone është një fungicid që ka dalë së fundmi jashtë përdorimit në vendet e BE-së, por në vendin tonë mund të përdoret edhe për disa muaj vetëm për produktet që janë për konsum vendas, jo për ato për eksport. Ky pesticid do të përdoret në vendin tonë deri në dhjetor të vitit 2024.
