Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se faza e dytë e planit të paqes për Gazën pritet të nisë shumë shpejt, duke dërguar një mesazh të ashpër ndaj Hamasit, të cilit i kërkoi çarmatim të menjëhershëm.
“Ata duhet të çarmatosen brenda një kohe shumë të shkurtër. Nëse nuk ndodh, Hamasi do të paguajë ferrin”, deklaroi Trump gjatë një konference për shtyp pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Trump theksoi se Izraeli, sipas tij, e ka zbatuar planin e armëpushimit “100 për qind”, pavarësisht operacioneve të vazhdueshme ushtarake në Gaza. Ai shtoi se nuk ka shqetësime për veprimet e Izraelit, por për palët e tjera që, sipas tij, “ose nuk po veprojnë, ose nuk po i përmbushin detyrimet”.
Plani i paqes në Gaza ka hyrë në fuqi që në tetor dhe parashikon disa faza. Në fazën e dytë pritet krijimi i një qeverie teknokratike në territorin e shkatërruar, çarmatimi i Hamasit dhe tërheqja e trupave izraelite, për t’i hapur rrugë procesit të rindërtimit.
Megjithatë, kritikët kanë ngritur shqetësimin se qeveria izraelite mund të përpiqet të vonojë zbatimin e plotë të kësaj faze, duke kërkuar fillimisht çarmatimin e Hamasit pa garantuar tërheqjen e forcave izraelite. Nga ana tjetër, zyrtarë të Hamasit kanë deklaruar se një çarmatim i plotë mund të ndodhë vetëm paralelisht me hapa konkretë drejt krijimit të një shteti të pavarur palestinez.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, autoritetet shëndetësore palestineze raportojnë se të paktën 414 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite në Gaza. Ushtria izraelite pretendon se ka vepruar vetëm në raste të shkeljeve të armëpushimit dhe ka akuzuar Hamasin për vrasjen e tre ushtarëve izraelitë gjatë të njëjtës periudhë.
Gjatë konferencës, Trump lëshoi edhe një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se SHBA-të janë të gatshme të ndërmarrin sulme të reja nëse zbulohet se Teherani po zhvillon fshehurazi armë bërthamore në lokacione të ndryshme.
Deklaratat e Trumpit pritet të ndikojnë ndjeshëm në dinamikat politike dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme, në një moment kritik për të ardhmen e Gazës dhe procesin e paqes.
