Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të dielën se Rusia përbën një kërcënim më të madh për sigurinë e Bashkimit Evropian sesa thjesht nga pikëpamja e mbrojtjes pasi Moska mund të përdorë emigracionin e paligjshëm dhe çështje të tjera për të minuar bllokun.
Kryeministrat e Finlandës, Italisë, Suedisë, Greqisë si edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së u takuan në fundjavë në Lapland në veri të Finlandës për të diskutuar mbi sigurinë në rajonin nordik dhe Mesdhe, si dhe sfidat e migracionit në Evropën Jugore.
“Ne duhet ta kuptojmë se kërcënimi është shumë më i madh nga sa mund ta marrim me mend”, tha zonja Meloni në një konferencë për shtyp kur u pyet për Rusinë.
Rreziku ndaj sigurisë së BE-së nga Rusia apo nga aktorë të tjerë nuk do të zhduket pasi të përfundojë konflikti në Ukrainë dhe BE-ja duhet të jetë e përgatitur për këtë, tha ajo.
