Ndryshe nga mbrëmjet e kaluara, këtë herë, Grida Dumës i është dashur që ta nisë emisionin mes lotëve.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike e tanimë moderatorja e emisionit “Top Story”, me zërin që i dridhet e me sytë me lot, ka kujtuar Gerti Bogdanin, politikanin model, i cili pavarësisht botës së egër, intrigave në politikë, arriti që të qëndronte me kokën lart dhe një njeri i mirë, ashtu si dhe Grida e tha.
“Unë nuk do e imagjinoja kurrë që do të isha në një studio apo kudo tjetër të flisja në memorie të Gerti Bogdanit. E kam njohur nga politika Gertin dhe nuk do bëj asnjë koment të tepërt sepse i takon atyre që e kanë, familja, të njohur, të afërm, miq të ngushtë të flasin më shumë se unë.
Por dua të them një qëndrim timin njerëzor sa ipërket Gertit si njeri si politikan i ri, që mbeti i ri në politikë. Unë e njoh politikën dhe e di çfarë do të thotë sepse e njoh dhe e di çdo të thotë që disa gjëra të thjeshta, që duken të thjeshta për njerëzit e zakontë kur arrijnë të mbijetojnë pavdekur në politikë janë heroike.
Gerti Bogdani mbeti i mirë, mbeti djalë qytetar dhe shumica e atyre që ishin me grupe apo pa grupe e donin. Unë e di çfarë do të thotë që në një vend të vështirë, me intrigë dhe prapaskenë, me pushtet dhe me adrenalinë ambiciesh të mbetesh i paqtë. Iku i paqtë për memorien e atyre që e patën përreth dhe model i jashtëzakonshëm”, tha Duma.
Gerti Bogdani ka ndërruar jetë papritur këtë të mërkurë teksa ndodhej në ambientet e Hotel “Rogner” në kryeqytet, nën shoqërinë e kolegëve dhe miqve të tij, gati për të marrë pjesë një takim zyrtar kur ka pësuar një goditje në zemër.
Fatkeqësisht, 44 vjeçari është dërguar me autoambulancë në spital por mjekët nuk kanë mundur ta rikthejnë në jetë.
