Deputeti demokrat Dashnor Sula ka rrëfyer në emisionin ‘Debat’ në A2 CNN se përse dështuan negociatat për të qenë kandidat i koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ në zgjedhjet e 11 majit.
Sula tha se fillimisht nuk ka qenë kurrë në listën e PD-së, as në atë të mbyllur dhe as në të hapurën. Ai shtoi se pasi nuk pa emrin në listën e PD, shkoi te koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ i drejtuar nga Adriatik Lapaj, me të cilin sipas Sulës, nuk ranë dakord pasi ai kërkonte garanci që personat e vendosur në listë të mbyllur do të tërhiqeshin.
Sula tha se pas këtij vendimi është telefonuar nga Flamur Noka, i cili i ka kërkuar që të garojë në listën e hapur të PD-së. Ai tha se i kishte kërkuar Nokës që të krijohej një vend i lirë në listë, në mënyrë që të kishte hapësirë edhe për një të afërm të tij, të cilët sipas Sulës, janë edhe makinerie e votave që ai siguron në Elbasan.
Kjo kërkesë sipas Sulës nuk është pranuar nga Noka dhe ditën e djeshme janë mbyllur negociatat për të qenë kandidat i PD në zgjedhjet e 11 majit.
