Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, i bëri thirrje klasës politike në Kosovo që të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund krizës politike dhe institucionale, në mënyrë që vendi të avancojë në procesin e integrimit europian.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Kos zhvilloi takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Në konferencën për media me Kurtin, komisionerja europiane theksoi se Kosovo ende nuk ka statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe se përparimi drejt këtij objektivi kërkon institucione funksionale dhe stabilitet politik.
“Thirrja ime është e qartë për të gjithë aktorët politikë që të gjejnë një mënyrë për të rikthyer stabilitetin institucional. Shumë reforma kanë ngecur për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve dhe vendi duhet t’i rikthehet ritmit pas një viti të humbur”, deklaroi Marta Kos.
Ajo shtoi se zgjerimi i BE-së lidhet tashmë edhe me dimensionin e sigurisë europiane.
“Nuk mund të ketë siguri në Europë pa Kosovën, sepse Kosova është pjesë integrale e një tabloje më të madhe europiane”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se Kosova mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Sipas Kurtit, kanë kaluar më shumë se 40 muaj që prej aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe vendi meriton avancim konkret në procesin integrues.
“Mbështetja publike për Bashkimin Evropian në Kosovë mbetet rreth 90 për qind, ndër më të lartat në rajon. Nuk kërkojmë rrugë të shkurtra apo derë të pasme, por vetëm një proces të bazuar në meritë”, tha ai.
Komisionerja europiane vlerësoi gjithashtu rëndësinë e reformave të bllokuara dhe nevojën për bashkëpunim politik në mënyrë që vendi të mos humbasë më kohë në rrugën drejt integrimit europian.
