Tragjedia e ndodhur në orët e para të Vitit të Ri në resortin e skive Crans-Montana në Zvicër ka lënë pas dhimbje të thellë dhe dëshmi rrëqethëse nga ata që e përjetuan nga afër.
Dalia Gubbay, 58 vjeçe, ende në gjendje shoku, tregon mesazhin që mori nga i biri, Samueli, pak çaste pasi shpërtheu zjarri në lokalin e njohur “Le Constellation”, ku humbën jetën të paktën 40 persona dhe rreth 100 të tjerë u plagosën.
“Në Crans-Montana kam shtëpi prej gati 30 vitesh. Vij shpesh për festa me familjen. Nuk mbaj mend të ketë ndodhur ndonjëherë diçka e tillë”, shprehet ajo.
Në natën e ndërrimit të viteve, familja e saj e madhe ishte mbledhur në resort. Djali i saj Samueli, bashkë me bashkëshorten, po festonte në një apartament vetëm pak metra larg lokalit ku ndodhi tragjedia.
“Rreth orës 1:30 panë zjarrin që vinte nga ‘Constellation’. Më shkroi menjëherë: ‘Mami, këtu ka shumë rrëmujë, ka rënë zjarr!’. Pastaj më dërgoi foto dhe video… ishin tronditëse”, rrëfen Gubbay.
Ajo shton se nusja e saj pa skena të tmerrshme: njerëz të djegur, trupa të mbuluar me çarçafë të bardhë dhe kaos të plotë.
Që nga orët e para të mëngjesit, telefoni i 58-vjeçares nuk ka pushuar së rëni. Shumë prindër, kryesisht nga Italia, Zvicra dhe Franca, po kërkojnë me ankth fëmijët e tyre, pa arritur ende t’i kontaktojnë.
“Në Crans-Montana kishte shumë të rinj, madje edhe nën 17 vjeç. E di që një djalë 15-vjeçar ndodhet në terapi intensive në Lozanë. Një mike franceze nuk po e gjen dot vajzën e saj… është e tmerrshme”, thotë ajo me zë të dridhur.
Një tjetër dëshmi tronditëse vjen nga një arkitekte 60-vjeçare nga Milano, e cila ndodhej për pushime në të njëjtin resort. Ajo tregon se doli nga shtëpia përpara se të mbërrinin ndihmat.
“Pashë zjarrin brenda lokalit, xhamat ende të paprekur dhe të rinj që përpiqeshin të dilnin. Nuk kishte ende ambulanca apo zjarrfikëse”, rrëfen ajo.
Pamja që pasoi ishte rrëqethëse: “Një djalë kaloi rrugën vetëm me të brendshme, i djegur plotësisht, me flokët e shkrumbuara, duke ecur pa drejtim. Pak më tej, një tjetër ishte ulur në tokë, i palëvizshëm, me duart e përgjakura”.
Sipas saj, ndihmat mbërritën vetëm disa minuta më vonë, ndërsa nata e Vitit të Ri u shndërrua në një makth për dhjetëra familje që kërkonin me dëshpërim fëmijët e tyre.
Autoritetet zvicerane vijojnë hetimet për shkaqet e zjarrit, ndërsa identifikimi i viktimave pritet të marrë kohë për shkak të dëmtimeve të rënda. Tragjedia në Crans-Montana tashmë konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda që ka goditur një resort turistik në Evropë në vitet e fundit.
