Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbledhë përfaqësuesit e “vendeve të mëdha evropiane” në Paris për të diskutuar “sigurinë evropiane”, konfirmoi ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot. “Presidenti i Republikës do të mbledhë nesër vendet kryesore evropiane për bisedime mbi sigurinë evropiane”, tha Barrot për radion France Inter. Ai nuk ka specifikuar se kush do të marrë pjesë në këtë “takim pune”, por sipas një burimi diplomatik europian, të pranishëm duhet të jenë Gjermania, Polonia, Italia, Danimarka, si dhe Britania e Madhe jashtë BE-së. Liderët evropianë Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, si dhe shefi i NATO-s Mark Rutte , do të jenë gjithashtu të pranishëm, tha burimi.
Takimi do të zhvillohet një ditë pas Konferencës së Sigurisë së Mynihut, e cila u shënua nga një fjalim armiqësor i nënpresidentit amerikan JD Vance , drejtuar kundër Bashkimit Evropian, të cilin ai e akuzoi se nuk respekton “lirinë e shprehjes” dhe konfirmoi se amerikanët po shqyrtojnë negociatat për një zgjidhje të çështjes së Ukrainës pa evropianët. Kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes, “ne nuk kemi nevojë për udhëzime”, tha Barrot për France Inter. “Duhet të heqim qafe kompleksin e inferioritetit dhe të mos frikësohemi, ndaj nuk do të pranojmë asnjë ndërhyrje”, theksoi ai. Ai i cilësoi të papranueshme deklaratat e Vance të bëra një javë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. “Ne do të mbrojmë demokracinë tonë dhe debatet tona publike, sepse ato janë pasuritë tona më të çmuara, edhe nëse janë të brishta,” tha Barrot. Kur bëhet fjalë për çështjen e Ukrainës, ai përsëriti se “vetëm ukrainasit mund të marrin vendimin për t’i dhënë fund luftës”.
