Epoka e Luciano Spallettit te Juventusi është gati të fillojë. Trajneri italian ka mbërritur i vetëm në Continassa duke ngarë vetë makinën dhe po përgatitet të nënshkruajë kontratën që do e mbajë te “Zonja e Vjetër” për të paktën tetë muaj. Nëse ia del të sigurojë katër vendet e para që do të thotë pjesëmarrje në Champions League, një rinovim automatik deri në verën e 2027 do hynte në fuqi, me mundësi rinovimi edhe për një tjetër sezon (2028).
Shkarkimi i Igor Tudor ka bërë që bardheiznjtë të lëvizin dhe fitorja e djeshme 3-1 kundër Udineses ka kthyer humorin në kampin e “Zonjës së Vjetër”. Pritet që sot në orën 15:00 Juventusi të zhvillojë stërvitjen e radhës dhe Spalletti të jetë pjesë e saj.
Debutimi i trajnerit do vijë në fundjavë, me Juven që luan kundër Cremoneses në udhëtim, të diel në orën 20:45. Pas këtij dueli në datën 4 nëntor në Torino vjen Sportingu i Lisbonës për raundin e katërt në Champions League, duel që bardhezinjtë duan ta fitojnë nëse kërkojnë të kalojnë në fazën tjetër.
