Në një intervistë ekskluzive në Top Story përballë Grida Dumës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në prag të zgjedhjeve, ka folur mbi mandatin e tij 4 vjeçar dhe ambicien për ta qeverisur Kosovën si forcë e vetme edhe për një tjetër mandat.
Ai u shpreh se zgjedhjet e së dielës, nuk janë zgjedhje, por referendum dhe se sipas tij zgjedhjet e rregullta do të jenë në 2029.
“Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që pas shpalljes së pavarësisë. Ndonëse janë të rregullta nuk janë zgjedhje të zakonshme, meqë këto që kemi bërë në këto katër vite është e paparë për Kosovën. Nesër ne e quajmë ditë referendumi. Zgjedhje të rregullta do të ketë në 2029”, tha ai.
Kurti tha se në këto katër vite kanë pasur mbështetje të popullit duke shtuar se nuk ka pasur asnjë protestë, por se kundërshtia ka qenë nga opozitarët, që i cilën për arsye xhelozie.
“Nuk kam pushtet më shumë se ata para nesh, por kemi mbështetje më shumë se ata para nesh. Kishim qëndrueshmëri sepse populli na ka besuar. Besoj se ia kemi kthyer besimin. Rritja ekonomike ka qenë rekord, pa rënë asnjëherë nën 4%, investimet kapitale i kemi pasur rekord në vitin e kaluar. Këto janë fakte! Si i bëhet që në katër vite nuk kishte as protestë?! Kurrë nuk ka qenë mirëqenia më e lartë në Kosovë historikisht. Ka kënaqësi për popullin, por ka pakënaqësi opozitare, sepse ka shumë inat dhe xhelozi”, shton Kurti.
