Kryeministri Edi Rama po e bën gati zarfin e shumëpritur me emrat e skuadrës së tij të katërt qeverisëse, që do të shpallet në mbledhjen e asamblesë socialiste më 11 shtator, ora 10:00. Në këtë takim do të vendoset për kabinetin e ri, por edhe për postin e zëvendëskryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe kreun e grupit parlamentar, duke shpalosur njëherazi prioritetet e qeverisë për katër vitet e ardhshme. Burime pranë PS thonë se Rama po synon një kombinim mes figurave me profil teknik dhe emrave që nuk bartin mbi shpinë dosje problematike në SPAK. Kjo ka shtuar ethet mes ministrave aktualë, sepse askush nuk e di me siguri nëse do të vijojë të qëndrojë në detyrë. Dhe pikërisht këtu nis dilema më e madhe: një pjesë e kabinetit aktual është e mbërthyer nga hetime të rënda në SPAK. Nga Belinda Balluku, Taulant Balla e Ulsi Manja, tek Ogerta Manastirliu, Arbjan Mazniku, Mirela Kumbaro e Pirro Vëngu, të gjithë rezultojnë me dosje të hapura apo në hetim, çka i bën ata kandidatët më të rrezikuar për të mos qenë pjesë e qeverisë “Rama 4”. Gjithashtu mësohet se ministri Ervin Hoxha dhe Petrit Malaj nuk konsiderohen më në rrezen e Ramës.
Kush janë ministrat me dosje në SPAK
Belinda Balluku-Ministrja e Infrastrukturës është përfolur për tendera të dyshimtë dhe koncesione me vlerë marramendëse. Një numër hetimesh kanë nisur në SPAK për mënyrën se si janë ndarë fondet publike. SPAK ka zbardhur qindra përgjime që implikojnë Ballukun në batërdinë miliona euro që bashkë me drejtorët e saj të arrestuar dhe nën hetim i kanë bërë dhe po i bëjnë buxhetit të shtetit. Madje hetimet e aferës së Tunelit të Llogarasë nga SPAK janë drejt fundit. Kjo dosje “gropos” Belinda Ballukun. Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshmitë publike të Arben Ahmetajt, një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit. Aty u bë pazari ku me një të rënë të lapsit, Balluku i shkaktoi 50 milionë euro dëm buxhetit të shtetit shqiptar. Kjo është një nga dhjetëra dosje që ka të hapura Balluku në SPAK.
