Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hyrë në një nga fazat më hermetike dhe të tensionuara të ekzistencës së saj. Që prej më shumë se dy muajsh, komunikimi publik i institucionit është shuar thuajse plotësisht. Asnjë konferencë, asnjë deklaratë, asnjë detaj i dhënë për çështje me interes të madh publik. Por kjo heshtje nuk është mungesë aktiviteti, përkundrazi. Heshtja është një sinjal se brenda mureve të SPAK po përgatitet një stinë e re goditjesh, më e forta dhe më e guximshmja deri më tani. Dhe në qendër të këtyre zhvillimeve është një dosje e përvëluese që, sipas të gjitha gjasave, ka në shënjestër një nga figurat më të larta të qeverisë: zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Roli i amerikanëve
Pikërisht në kulmin e kësaj qetësie të frikshme, pak ditë më parë, ambasada e SHBA ka ndërhyrë me një lëvizje që rikujtoi peshën dhe ndikimin e saj mbi institucionet e drejtësisë. E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi një takim kokë më kokë me kreun e SPAK, Altin Dumani, dhe disa prej prokurorëve më të lartë të strukturës. Kjo vizitë erdhi menjëherë pasi Presidenti Donald Trump firmosi sërish shtyrjen e urdhrit ekzekutiv për shpalljen “non grata” të zyrtarëve të korruptuar dhe të përfshirë në shkelje të rënda të ligjit në Ballkan. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se një nga kërkesat më urgjente të ambasadës gjatë këtij takimi ishte pikërisht zbardhja e ecurisë për disa dosje të rëndësishme që SPAK i ka mbajtur në pritje. Dosjet për të cilat u kërkua lëvizje nuk janë më çështje rutinë, por çështje politike me peshë dhe pasoja të mëdha. Në krye të kësaj liste dyshohet se përmendet dhe dosja Balluku, një sërë hetimesh që prekin kontrata koncesionare, tendera të mëdhenj publikë, kompani me lidhje të dyshimta financiare dhe menaxhim të projekteve energjetike me kosto të fryra.
