Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka paralajmëruar se do të arrestohen shumë punonjës të Policisë së Shtetit, në funksion ose jo. Nisur nga deklarata e kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, i cili tha në raportin vjetor në KLP, se shumë punonjës të policisë së shtetit janë të përfshirë me krimin e organizuar, Ngjela e quajti këtë deklaratë të vërtetë. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive ditën e djeshme, avokat Ngjela zbuloi se Dumani ka në dorë arrestet, ndërsa shtoi se krimi i organizuar nuk triumfon sot nëse nuk e ka policinë në gjirin e vet. “Kjo deklaratë paralajmëron arreste. Dumani i ka në dorë arrestet. Nuk pyet arresti i shkarkuar apo në funksion. Ajo që ka thënë Dumani ka qenë e vërtetë. Krimi i organizuar po nuk pati policinë në gjirin e vet nuk triumfon dot”, deklaroi ai. Më tej avokat Ngjela për shkak të përfitimeve financiare, krimi ka pasur në dorë që nga kryeministrat deri te policët. Ngjela thekson se klientela e tyre në treg ishte policia e Prokuroria, në funksion të pasurimit të parave kriminale. “Krimi ka pasur në dorë që nga kryeministrat e deri te këta, kanë qenë në dorë të krimit. Ishin në bashkëpunim financiar. Këta e kishin kthyer Shqipërinë në kompaninë e tyre. Klientela e tyre në treg dhe policia e prokuroria. Ishin bashkë në funksion të pasurimit të tyre. Janë me miliona dollarë. Të shikojmë a do ta mbyllë SPAK-u këtë çështje deri në fund”, u shpreh ai.
Korrupsioni
Gjithashtu avokati Spartak Ngjela theksoi se të gjithë janë shqetësuar sepse “kanë futur duart” në afera korruptive dhe presin në ankth vendimet e kreut të SPAK, Altin Dumani. Ngjela ngriti shqetësimin se SPAK nuk ka fuqi për goditje të mëdha, pasi nuk ka hetues të mjaftueshëm. Sipas atij, ka informacione që disa hetues të rinj po trajnohen në Uashington. “Të dyja partitë janë në konsum politik. Janë të njëjtat fytyra, kjo krijon mosbesim në opinionin publik dhe në zgjedhje krijon abstenim politik. Janë të gjithë të shqetësuar sepse kanë futur duar…deti ishte bërë kos. Lugën e kishin në brez, ishte bërë deti kos, i futën duart ata. SPAK-u kërkon të justifikosh pasurinë, siç i kërkoi gjyqtarëve. Nuk ka fuqi SPAK për goditje të mëdha në numër, sesi do ta zgjidhë çështjen e sasisë së madhe të dosjeve dhe numrit të vogël të hetuesve, këtë do ta shohim hap pas hapi. Më kanë thënë që po përgatiten në Uashington hetuesit e rinj, mund të jetë e vërtetë. Do reformë hetuesia, sepse ka qenë e korruptuar”, nënvizoi Ngjela.
Paralajmërimi
Ndërkohë kujtomë se deklarata e Ngjelës, vjen një ditë pas asaj të bërë nga eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, i cili dy ditë më parë foli në lidhje me raportin e SPAK të publikuar pak ditë më parë, por dha një paralajmërim të fortë.
Ai theksoi se po bëhet një hetim i madh, ku në pranga do bien zyrtarë të lartë që janë në kupolën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Sipas tij, këto shefa fillimisht do të lirohen nga detyra e më pas do arrestohen. “Ka shumë kohë që po hetohet një kontingjent me nivel drejtues të policisë së shtetit. Ka pasur arrestime siç jemi në dijeni, disa prej tyre janë në paraburgim dhe janë shefa komisariatesh, shefa krimesh, po tani ka një hetim ende më të madh, ku deri tani kanë dalë katër emra të drejtuesve të lartë të policisë së shtetit, që janë në kupolën qendrore më Drejtorinë e Përgjithshme të policisë dhe një në një drejtori qarku. Po diskutohet që këta persona të mos jenë në detyrë në momentin e arrestimit por të lirohen paraprakisht dhe më pas të arrestohen. Shqetësimi i Dumanit ka kohë që është ngritur”, deklaroi Karamuço.
